Sektori privat nxit rritjen ekonomike

Ekonomi

Sektori privat nxit rritjen ekonomike

Më: 18 nëntor 2017 Në ora: 15:55
Ilustrim

Rritja ekonomike në Kosovë në vitin 2017 pritet të arrijë në 4.4 për qind, nga 3.4 për qind sa ishte në vitin 2016, thuhet në raportin e fundit të Bankës Botërore.

Kjo rritje, sipas raportit, thuhet se është nxitur kryesisht nga investimet, mbështetur nga konsumi dhe një rigjallërim i eksporteve.

Eksportet, thuhet në raport, po stimulohen nga rritja e fortë e vendeve të Eurozonës, rritja e prodhimit të metaleve bazë, çmimet e larta ndërkombëtare për nikelin dhe plumbin dhe një rritje me bazë të gjerë në prodhimin e mallrave dhe shërbimeve tjera.

Ekspertë për çështje ekonomike në Kosovë, si lajm të mirë në këtë fushë e konsiderojnë faktin se për herë të parë në vend, rritja ekonomike përmendet se është krijuar nga sektori privat.

Eksperti për çështje ekonomike, Naim Gashi, për Radion Evropa e Lirë, thotë se rritja ekonomike është rezultat i reformave në fushën e ekonomisë që janë ndërmarrë në dy vitet e fundit, të cilat kanë krijuar lehtësira për komunitetin e biznesit.

“Fakt me më rëndësi i raportit të Bankës Botërore është se për herë të parë gjatë vitit 2016 dhe gjatë këtij viti, barrën kryesore të zhvillimit ekonomik po e bart sektori privat, për dallim nga herët e shkuara kur barrën e zhvillimit ekonomik e bartnin projektet publike të financuara nga buxheti i shtetit”, thotë Gashi.

Mekanizmat ndërkombëtarë financiarë e kanë vendosur Kosovën në vendin me rritjen më të lartë ekonomike në rajon.

Ekonomisti i Bankës Botërore në zyrën në Prishtinë, Agim Demukaj, thotë se perspektiva e rritjes ekonomike në Kosovë është pozitive, dhe rritja ekonomike parashikohet të arrijë 4.8 për qind në vitet 2018 dhe 2019.

Por, megjithatë, sipas tij, përmirësimi i parashikuar është objekt i rreziqeve, përfshirë perceptimet rreth stabilitetit politik dhe mungesën e mundshme të kapaciteteve për të çuar përpara planet ambicioze të investimeve publike.

“Nëse e krahasojmë Kosovën në hartën e Ballkanit Perëndimor më rritjen ekonomike të vendeve tjera, shihet se trendi vazhdon që Kosova ka perfomuar më mirë se sa vendet tjera. Natyrisht është prej një baze më të ulët dhe është pak a shumë e kuptueshme”, thekson Demukaj.

Pavarësisht rritjes ekonomike në 4.4 për qind, Naim Gashi shprehet se për t’u vërejtur rritja ekonomike në jetën e përditshme të qytetarëve duhet të arrijë në mbi 6 për qind.

Vetëm atëherë thotë ai, do të ulët shkalla e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë.

E, për të pasur një nivel më të lartë të rritjes ekonomike, thotë Gashi, duhet të ashpërsohet lufta kundër evazionit fiskal dhe kundër monopoleve, siç thotë ai, që janë të afërta më politikën në Kosovë.

“Në fakt, monopolet po krijojnë disa mijëra vende pune, por në fakt po shkatërrojnë kompani që mund të krijojnë dhjetëra mijëra vende pune. Ajo që duhet të bëjë Qeveria e Kosovës është që të krijojë një garë të barabartë nëpër mjet komunitetit të biznesit”.

“Ne, të gjithë, edhe sektori ekonomik edhe qytetarët, jemi dëshmitarë që në Kosovë ka biznese më të forta se sa shteti. Ato shfrytëzojnë asetet publike, qoftë në fushën e telekomit, homologimit, importit të produkteve të caktuar, mandej punëve të ndryshme publike, pra kompani që janë të privilegjuara nga shteti”, vlerëson Gashi.

Edhe ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, ka premtuar se institucionet kompetente do të vazhdojnë të punojnë për reforma të mëtutjeshme, në funksion të rritjes së shpejtë dhe të qëndrueshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat