Konsumatorët mund të shfrytëzojnë arbitrazhin për zgjidhje të kontesteve

Ekonomi

Konsumatorët mund të shfrytëzojnë arbitrazhin për zgjidhje të kontesteve

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 13:01
Pamje nga tryeza e organizuar nga Qendra e Arbitrazhit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë

Arbitrazhi dhe ndërmjetësimi mund të përdoren si metoda alternative për zgjidhjen e kontesteve edhe nga ana e konsumatorëve.

Kështu u tha sot gjatë një tryeze të organizuar nga Qendra e Arbitrazhit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë me ekspertë ligjorë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.

Drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, Njazi Shala, tha se në pajtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, konsumatorët mund të referohen lehtazi në arbitrazh apo ndërmjetësim.

Ai tha se kjo të mund të bëhet e plotfuqishme dhe e zbatueshme, nevojitet nxjerrja e një udhëzimi administrativ, i cili pritet të hartohet nga zyra që ai drejton në periudhën në vijim, duke kërkuar edhe ndihmën e Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane lidhur me këtë.

Avokati Sokol Elmazaj, njëherësh kryetar i Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, konfirmoi po ashtu se Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit nuk e ndalon arbitrazhin si metodë alternative të zgjidhjes së kontesteve.

Ai tha se ligji në fjalë ndalon vetëm imponimin e klauzolave të arbitrazhit nga kompanitë ndaj konsumatorëve, që natyrisht do të ishte kusht i padrejtë në rregullimet kontraktuale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat