OEK reagon për përkrahjen “në emër të sektorit privat” të atyre që janë në konflikt me ligjin

Ekonomi

OEK reagon për përkrahjen “në emër të sektorit privat” të atyre që janë në konflikt me ligjin

Më: 26 dhjetor 2017 Në ora: 11:42
OEK

Oda Ekonomike e Kosovës si promovuese e vlerave të ekonomisë së vendit vlerëson angazhimin e institucioneve për një sektor privat më konkurrues që sigurisht ndikon në performancën e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës që duhet të jetë objektiv i gjithë neve.

“Ne besojmë fuqishëm që partneriteti dhe dialogu me përfaqësuesit e biznesit e forcon këtë angazhim, por në të njëjtën kohë e shprehim shqetësimin e thellë me partneritetet  e dyshimta të Qeverisë së Republikës së Kosovës me shoqata dhe organizata ‘private’ dhe ‘familjare’ të biznesit  që funksionojnë pa asnjë llogaridhënie dhe në fakt përfaqësojnë grupe të interesit që adresojnë vetëm çështje individuale, por asnjëherë të biznesit si tërësi”, thuhet në një komunikatë për media.

Për më shumë dhe më keq ky partneritet i dyshimtë rezulton me dhënien e të drejtës, përmes një memorandumi gjatë fushatës zgjedhore  për të përfituar edhe mbi  50 mijë euro të parasë publike, pa asnjë procedurë dhe pa asnjë transparencë kinse në mbështetje të prodhimeve vendore. 

Dikujt kjo mund t’i duket vlerë e vogël, por ky avaz po zgjat tash më shumë se një dekadë dhe nuk ka krijuar asnjë efekt pozitiv për sektorin privat, por vetëm ka mundësuar mbijetesën e organizatave  fantome, jo transparente dhe shkelësve të ligjit.

Në vitin kur po shënojmë 55 vjetorin e funksionimit të Odes Ekonomike të Kosovës me përfaqësim të rreth 16,000 anëtarëve, afër më se 40 shoqata të ndryshme, me mbi 100 memorandume të bashkëpunimit me Oda homologe kudo në botë dhe e antarësuar në mënyrë të barabartë me të gjitha Odat Ekonomike Rajonale, Evropiane dhe më gjerë, në Eurochambres, ICC, Parlamentin Evropian për Ndërmarrësi etj, Qeveria na anashkalon  pothuajse komplet nga partneriteti për zhvillim ekonomik, këtë institucion kredibil dhe transparent.

“ Oda Ekonomike e Kosovës do të përkrahte çdo përkrahje të sektorit privat, në rritje të prodhimit, promovim të eksportit, gjetje të partneriteteve të reja, por në asnjë rrethanë nuk mund të arsyetojmë përkrahjen e  grupeve joformale dhe individëve të cilat kanë probleme me ligjin dhe të cilat aktivitetet e vetme i kanë “ndotjet akustike” dhe “ndotjet e ambientit”, në qendrat e rëndësishme të vendit”, thuhet në komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat