Oda Amerikane mban Kuvendin e Përgjithshëm

Ekonomi

Oda Amerikane mban Kuvendin e Përgjithshëm

Më: 19 janar 2018 Në ora: 14:44
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbajti Kuvendin e Përgjithshëm vjetor

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbajti Kuvendin e Përgjithshëm vjetor në të cilin përveç aprovimit të programit vjetor të aktiviteteve, zgjodhi edhe 11 anëtarët e ri të Bordit të Guvernatorëve.

Zëvendëspresidenti i Odës Ekonomike Amerikane Michael Gold, tha se organizata mbetet ndër asociacionet më të fuqishme të biznesit në vend, duke dhënë kontribut të veçantë në përmiësimin e mjedisit për të bërë biznes, por duke qenë aktive edhe në fusha si përgjegjësia sociale korporative.

Gjatë prezantimit të aktiviteteve të vitit 2017, drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, foli për të arriturat e kësaj organizate përgjatë viteve të fundit, që e rendisin Odën Amerikane në Kosovë në mesin e 10 Odave më të fuqishme Amerikane në Evropë, ku operojnë gjithsejtë 45 Oda Amerikane.

Sipas komunikatës së odës, Kuvendi i Përgjithshëm i Odës Amerikane, i përbërë nga 100 delegatë, përzgjodhi Bordin e ri të Guvernatorëve, i cili për dy vitet e ardhshme do të ketë këtë përbërje: Ilir Ibrahimi (ProCon) si president i Bordit, Hakif Gashi (Meridian Corporation) zëvendëspresident, Visar Ramajli (Kivo LLC) Sekretar i Përgjithshëm, Ardiana Bunjaku (ShKÇAK), thesariste, si dhe anëtarët jotitullar, Michael Gold (Crimson Finance Fund), Hysen Lajqi (HIB Petrol), Chris Thompson (Checchi and Company Consulting),  Artan Lahaj (MER Group), Ramis Ahmetaj (Viva Fresh), Valon Basha (Birra Peja), dhe Nerita Tira (Coca Cola HBC).

Në fjalën e tij inauguruese, Ilir Ibrahimi, President i Bordit të Guvernatorëve, falënderoi Bordin paraprak për punën e shkëlqyeshme dhe siguroi se Oda Amerikane do të jetë zë i fuqishëm i bizneseve në mbrojtje të  interesave të tyre edhe në vitet në vijim.

Ibrahimi ftoi bizneset anëtare të Odës që të jenë sa më aktive në ngritjen e çështjeve të ndryshme me të cilat ata ballafaqohen, në mënyrë që të njëjtat të adresohen tek institucionet përkatëse në formë të përbashkët.

Ai po ashtu falënderoi edhe drejtorin ekzekutiv të Odës Amerikane, Arian Zeka për punën e palodhshme në zhvillimin dhe rritjen e organizatës.

Ibrahimi uroi që ky trend të vazhdojë edhe në të ardhmen duke siguruar Drejtorin Arian Zeka për mbështetje të Bordit të Guvernatorëve.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është pjesë e Odës Ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me seli në Ëashington D.C., e cila numëron 115 Oda Amerikane nëpër botë. Oda Ekonomike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është organizata më e madhe e biznesit në botë që përfaqëson interesat e mbi 3 milionë bizneseve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat