”Standard and Poor’s” konfirmon perspektivën e qëndrueshme ekonomike të Shqipërisë

Ekonomi

”Standard and Poor’s” konfirmon perspektivën e qëndrueshme ekonomike të Shqipërisë

Më: 5 shkurt 2018 Në ora: 15:19
Standard and Poor's

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit ”Standard and Poor’s” (S&P Global) vlerëson të qëndrueshme perspektivën afatgjatë ekonomike për Shqipërinë.

“Ne presim që Shqipëria të vazhdojë në rrugën e saj të rritjes relativisht të lartë, konsolidimit të vazhdueshëm fiskal, që do të mbështesë gradualisht reduktimin e barrës së lartë të borxhit publik të vendit. Ne konfirmojmë vlerësimin tonë të kreditit në “B+/B” mbi Shqipërinë”, thuhet në raportin e publikuar sot.

”Ne mund të ngremë vlerësimet tona për Shqipërinë nëse reformat strukturore të lidhura me procesin e pranimit të vendit në Bashkimin Europian krijojnë një rekord më të fortë të institucioneve dhe rritjes ekonomike”, thekson ”Standard and Poor’s” .

“Një vlerësim më i lartë mund të vijë edhe si rezultat i përpjekjeve të mëtejshme të konsolidimit fiskal dhe përmirësimit të mbledhjes së të ardhurave”, citohet në raport.

Sipas S&P, ligji i “buxhetit organik” dhe përgjithësisht përmirësimi i mbikëqyrjes institucionale ndihmoi në parandalimin e akumulimit të borxheve të prapambetura dhe pengoi rrëshqitjen fiskale përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar.

Duke analizuar profilin institucional dhe ekonomik, në raportin e S&P thuhet se pritet që qeveria të ecë përpara në axhendën e saj të reformave strukturore edhe për shkak të synimeve të saj për t’u bashkuar BE.

“Ekonomia do të vazhdojë të rritet me një ritëm relativisht të shpejtë, megjithëse nga një baza e ulët. Ndërsa efektet e projekteve të investimeve në shkallë të gjerë për rritjen ekonomike zbehen, kërkesa e brendshme do të bëhet një motor më i rëndësishëm i zhvillimit të ekonomisë”, thuhet më tej.

”Standard and Poor’s” pret që qeveria e rizgjedhur e Shqipërisë të ecë përpara me reformat strukturore, që duhet gradualisht të përmirësojnë kornizën e politikave.

”Partia Socialiste doli fituesja e vetme në zgjedhjet e kaluara dhe ka formuar një qeveri nën kryeministrin e mëparshëm Edi Rama. Ne presim vazhdimësinë e politikave dhe përpjekjet e qëndrueshme të reformave strukturore”, thekson raporti.

Raporti ndalet edhe në programin trevjeçar të qeverisë shqiptare me FMN-në.

Sipas S&P, programi ka çuar në përmirësime të konsiderueshme të kuadrit fiskal të Shqipërisë, ndërsa i sugjeron qeverisë shqiptare të vijojë ndjekjen e programit me FMN-në edhe përgjatë 2018-s.

Sipas këtij raporti, në përgatitjet për pranimin në BE, qeveria ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të rritur sundimin e ligjit dhe për të luftuar ekonominë informale.

“Presim që përpjekjet e reformave të qeverisë do të përqendrohen në ekonomi, administratën publike dhe sektorin e energjisë, veçanërisht në sistemin gjyqësor. Reforma gjyqësore e miratuar vitin e kaluar synon të krijojë sistem më të pavarur gjyqësor dhe të përmirësojë mjedisin e biznesit të vendit, për shembull, duke rritur efektivitetin e zbatimit të të drejtave pronësore. Reformat e mëtejshme strukturore janë të nevojshme për të forcuar Shqipërinë”, vlerësohet në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat