10 vite të “regresit” në ekonomi

Ekonomi

10 vite të “regresit” në ekonomi

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 20 shkurt 2018 Në ora: 13:12
Ilustrim

Kosova është duke e festuar 10 vjetorin e pavarësisë, por rrugët e saj ende janë të mbushura plot lypsarë, në kafiteritë e saj mund të shohësh shumë të rinj të diplomuar e të papunë, ndërkaq shumë shtëpi janë drejt shembjeve, por i mbajnë “gjallë” njerëzit që jetojnë me ndihma sociale.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 29.7 për qind e popullsisë jetojnë nën kufirin e varfërisë, ndërsa 10.2 për qind e popullsisë jetojnë në varfëri ekstreme.

Ndërkaq, të dhënat e Agjencisë Statistikore të Kosovës (ASK), deri në tre mujorin e tretë të vitit 2017 kanë treguar se shkalla e papunësisë në Kosovës është 30.2 për qind.

Anketa e cila ka pasur shtrirje në 600 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit dhe  ku janë anketuar 3 mijë e 630 ekonomi familjare, tregon se papunësia më e theksuar është te femrat më 38.0 për qind krahasuar me meshkujt, 27.8 për qind.

Ndërsa sa i përket grup moshave, papunësia më e theksuar është te grup moshat 15-24 vjeçare me 53.3 për qind.

Fajtor për gjendjen ekonomike në Kosovë, ekspertët e ekonomisë i konsiderojnë institucionet e shtetit.

Sipas tyre, institucionet duhet të veprojnë sa më shpejt, përndryshe Kosova do të ketë pasoja afatgjate.

Të modifikohen politikat

Duke folur rreth asaj se si mund të përmirësohet kjo gjendje në Kosovë, profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, ka treguar për “Bota sot” se ajo fillimisht ka nevojë të modifikojë politikat ekonomike.

Image
Muhamet Mustafa

“Kosova ka nevojë të modifikojë politikat ekonomike (taksat dhe taimet, politikat tregtare, politkat investuese e buxhetore, të filluara me Pakon fiskale 1 dhe Pakon fiskale 2 për ngritur normat e rritjes së GDP në rreth 7% edhe krijuar kështu hapësirë për të rritur më ndjeshëm punësimin. Niveli investimeve në sektorin privat prodhues dhe shërbyes , që rritë ofertën vendore duhet të rritet për rreth 700 milion euro në vit, nga investitorë vendorë dhe të jashtëm. Dhe gjithnjë dalim tek pyetja se si vendi ynë të bëhet më tërheqës për investitorë. Pas masave fiskale që janë ndërmarrë dy vitet e fundit është e domosdoshme që të forcohet veprimi i shtetit ligjor e që do të thotë dënimi i korrupsionit me masa të ashpra dhe zgjidhja e kontesteve biznesore në gjykata për më së shumti për 6 muaj në vend të situatës së tashme kur ato zgjasin, 2, 3 e më shumë vite”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, stabiliteti politik dhe imazhi i vendit ka rëndësi për investuesit.

Ndikimi i politikës

Ai në 10 vjetorin e Pavarësisë, kërkon vetëdijesim të liderëve dhe klasës politike për ta përmirësuar këtë gjendje.

“Stabiliteti politik dhe imazhi i vendit po ashtu kanë rëndësi të madhe për t’u bërë atraktivë për investuesit. Ajo që ngjet tek ne në Kosovë, lufta e ashpër politike deri në konfrontim, lufta primitive për pushtet, paaftësia e klasës politike që të gjenerojë konsensus për çështjet vitale të vendit: raportet me Serbinë, raportet me fqinjët, politika e jashtme, partneriteti veriatlantik, integrimet evropiane, drejtimet kyçe strategjike të zhvillimit ekonomik po e dëmton shumë imazhin tone, forcimin e shtetësisë dhe zhvillimet demokratike e perspektivën ekonomike. Prandaj, në këtë 10 vjetor të Pavarësisë duhet të kthjellemi njëherë e mire, të vetëdijesohen liderët dhe klasa politike dhe gjithashtu të detyrohen me presion qytetarë demokratik dhe me vota që interesat e vendit t’i vënë para apetiteve të tyre individuale e grupore dhe urisë për mirëqenie individuale dhe për pushtet. Kosova ka ardhur një moment historik që duke e përmirësuar qeverisjen dhe qasjen ndaj interesave të vendit të krijojë një shtet prosperues që ofron shanse të vërteta për qytetarët e vet dhe ku ata, qytetarët, e shohin perspektivën për të jetuar, punuar dhe zhvilluar vendin e vet”, ka përfunduar Mustafa.

Ndërkaq, eksperti i ekonomisë Ilir Fetahu ka pohuar se institucionet nuk kanë bërë përpjekje për zbutjen e papunësisë.

Sipas tij, nëse vazhdohet kështu Kosova mund të ketë pasoja afatgjate dhe është koha e fundit që institucionet të veprojnë.

Image
Ilir Fetahu

“Kosova është zyrtarisht vendim më i varfër në Evropë dhe institucionet në Kosovë është dashur që shumë më shumë të bëjnë përpjekje që ta zbusin papunësinë në Kosovë. Por, fatkeqësisht kjo gjë nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh, kjo ndoshta për shkak të mundësive të kufizuara, por edhe për shkak të liderëve jo të përgjegjshëm për zhvillim ekonomik dhe përhapjen e vendeve të reja të punës. Fatkeqësisht shumë të rinj sot mënyrën e ekzistencës e shohin vetëm nga dalja e Kosovës dhe mendoj që kjo mund të ketë pasoja afatgjata për Kosovën, duke pasur parasysh që ka rënie të natalitetit, martesa janë shtyrë dhe migrimi i cili ka qenë gjithmonë, por tani mendoj që është shumë i rëndë për të ardhmen e Kosovës për shkak që shumë njerëz ikin në perëndim. Fatkeqësisht, institucionet e Kosovës nuk kanë bërë deri tani dhe nuk po bëjnë, por është koha e fundit që të veprojnë diçka mirë dhe rinia ta shoh veten në Kosovë e jo rrugët e botës”, ka theksuar Fetahu.

Musa: Pengesë klasa politike

Edhe, sipas Lekë Musës ekspert i ekonomisë, institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për zbutjen e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë.

Sipas Musës, as pozita dhe as opozita nuk japin shpresa, por nevojitet rinia që ta ndryshojë vendin.

Image
Lekë Musa

“Nëse pyetet se e kanë bërë mjaftueshëm institucionet për zbutjen e varfërisë dhe papunësisë në Kosovë, përgjigjja sigurisht që do të ishte jo. Ajo se çfarë duhet bërë është një klasë e re politike në tërësi e cila do të mund të vëjë në dispozicion dhe në fakt të krijojë parakushtet për shfrytëzimin e potencialit që të zhvillojë këtë ekonomi, sepse siç mund të shihet e vetmja pengesë për zhvillimin e Kosovës sot është klasa politike. Por, fatkeqësisht asnjëra anë, si në pozitë, si në opozitë nuk japin shpresë. Pjesa më kreative e vendit është rinia dhe derisa ne nuk arrijmë ta shfrytëzojmë këtë potencial dhe nëse ajo nuk e merr në dorë zhvillimin do t’i kemi punët keq”, ka nënvizuar Musa.

Edhe, ministri i Punës dhe mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka konsideruar sfidë për Kosovën papunësinë.

Që nga marrja e mandatit si ministër i kësaj Ministrie, Reçica ka deklauar se ndër sfidat më të mëdha në bend është papunësia e lartë dhe në këtë pikë, ai ka shprehur garancën se trajtimi i këtij problemi, por edhe problemeve tjera që e karakterizojnë tregun e punës në vend, mbesin prioritet kryesor i ministrisë së tij. Sipas ASK-së papunësia më e theksuar është te femrat me 38.0 %, krahasuar me meshkujt, 27.8%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup moshat 15-24 vjeçare me 53.3%./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat