KE e vlerëson lart Programin për reforma ekonomike të Kosovës

Ekonomi

KE e vlerëson lart Programin për reforma ekonomike të Kosovës

Më: 6 mars 2018 Në ora: 14:44
Bedri Hamza

Ministri i Financave, Bedri Hamza, deklaroi sot se është duke u punuar për largimin e pengesave për realizimin e potencialit ekonomik të Kosovës.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit me një delegacion nga Komisioni Evropian, i kryesuar nga Uwe Stamm, shef i Njësisë, Drejtoratit Gjeneral për Ekonomi dhe Financa, të cilët po qëndrojnë në Kosovë me qëllim të vlerësimit të dokumentit të Programit për Reforma në Ekonomi (PRE) 2018-2020 të hartuar nga Institucionet e Qeverisë së Kosovës.

Hamza tha se do të zhvillojnë sektorin privat në mënyrë që të jetë bartës i rritjes ekonomike të vendit dhe për këtë qëllim do të punojnë për largimin e pengesave për realizimin e  potencialit ekonomik të Kosovës. 

“20 masa të reformave tashmë janë përditësuar për të reflektuar programin e ri qeverisës. Po ashtu duhet veçuar, se politikën tonë ekonomike e integrojmë në procesin e përgjithshëm të integrimit evropian, në një kornizë konsultimesh që na lejon që vazhdimisht të përfitojmë nga ekspertiza e komisionit, dhe vazhdimisht të përmirësojmë procesin tonë planifikues”, tha ai.

Kryesuesi i delegacionit të Komisionit Evropian, Uwe Stamm, shef i Njësisë në Drejtorinë Gjenerale të Ekonomisë dhe Financave të Komisionit Evropian,  tha se kishin kënaqësinë të shohin pikëpamjet evropiane në Programin për Reforma Ekonomike, që  është dorëzuar nga pala kosovare, e që është një dokument i cilësisë së lartë.

“E arritur e mirë është se Programi i Reformave Ekonomike nuk do të vlerësohet vetëm nga Komisioni Evropian dhe nga  Banka Qendrore Evropiane, por do të shqyrtohet edhe nga të gjitha shtetet anëtare dhe kjo mund të jetë një kartë e mirë për Kosovën në rrugën e saj integruese sepse shtetet anëtare të KE-së i shohin këto programe me shumë interes”, tha Stamm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat