OEK reagon ndaj thirrjes së Klubi të Prodhuesve, i quan pseudopatriotë - Bota Sot
OEK reagon ndaj thirrjes së Klubi të Prodhuesve, i quan pseudopatriotë

Ekonomi

OEK reagon ndaj thirrjes së Klubi të Prodhuesve, i quan pseudopatriotë

Më: 17 prill 2018 Në ora: 16:43
Pamje nga panairi

Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar pas një thirrje që Klubi i Prodhuesve të Kosovës u ka bërë bizneseve që ta bojkotojnë Panairin “Prishtina 2018” që fillon nesër.

“Në vazhdën e sulmeve të OJQ-së që pretendon që përfaqëson prodhuesit e vendit, ndaj Odës Ekonomike të Kosovës, sot ishte një ftesë e paprecedentë për bojkot të Panairit më të rëndësishëm që organizohet në vendin tonë, për shumë vite me radhë, nga Oda Ekonomike e Kosovës”, thuhet në reagimin e Odës.

Sipas reagimit të OEK “kjo OJQ, ose më mirë të themi, një pjesë e kësaj OJQ-je, dezinformon në mënyrë të papërgjegjshme, duke pretenduar që taksat e tatimpaguesve të vendit tonë po përdoren për promovim të produkteve serbe dhe që kompanitë prodhuese kosovare, nuk kanë pasur as ftesë për pjesëmarrje në këtë Panair. Këto dy fakte të fabrikuara dëshmojnë qartë, që ftesa për bojkot është një tendencë për promovim të një patriotizmi të rrejshëm, siç është bërë modë në këtë vend, pasi që është shumë e qartë që pjesëmarrjen e ndërmarrjeve serbe e subvencionon Oda Ekonomike e Serbisë, ndërsa ftesën për pjesëmarrje e kanë pranuar  rreth 16,000 anëtarë të Odës ekonomike të Kosovës”.

Më tej në komunikatë thuhet se në vend që të angazhohen në rritje të pjesëmarrjes së numrit të kompanive kosovare, jo vetëm në këtë panair, por në të gjitha panairet regjionale dhe ndërkombëtare, ky “grup interesi” vazhdon propagandën kundër 16,000 anëtarëve të Odës Ekonomike të Kosovës, pavarësisht faktit që anëtarë brenda radhëve të veta janë edhe ndërmarrje që komplet zhvillimin e biznesit në të kaluarën, por edhe sot, e kanë ndërtuar nga partneritetet e dyshimta me ndërmarrje nga Serbia.

“Pjesa dërmuese e tyre, posedojnë edhe dokumente udhëtimi dhe targa nga shteti serb dhe në Kosovë, ndërsa promovojnë kauza të mbrojtjes së prodhimit vendor dhe bëjnë aktivitete të cilat çdo ditë i dëmtojnë raportet ekonomike të Kosovës, sidomos me Shqipërinë”, thuhet në reagim.

OEK fton opinionin publik dhe ndërmarrjet anëtare të Odës të përkrahin rrugën integruese të vendit tonë, përfshirë edhe ndërtimin e partneritetit ndërshtetëror, rajonal dhe ndërkombëtar, që mundëson promovim të vlerave ekonomike të vendit dhe rritje të aftësisë konkurruese dhe eksporteve të prodhimeve “Made in Kosova”.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës më herët ka ftuar bizneset që ta bojkotojnë këtë Panair pasi që siç kanë thënë ata u është dhënë hapësirë bizneseve nga Serbia.

“Duhet theksuar se 17 vjet pas përfundimit të luftës, asnjë kompani e Kosovës nuk është ftuar apo nuk ka marr pjesë në ndonjë panair në Serbi. Ndërsa në panairin kryesor ndërkombëtarë në Kosovës nga gjithsej 174 kompani që marrin pjesë, mbi 50 përqind janë nga Serbia”, thuhet në komunikatën e KPK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test