“Porta komerciale” mundësi për produktet e Kosovës në tregun evropian

Ekonomi

“Porta komerciale” mundësi për produktet e Kosovës në tregun evropian

Më: 4 maj 2018 Në ora: 13:14
Prezantimi i platformës digjitale "Porta Komerciale".

Oda e Afarizmit të Kosovës në bashkëpunim me kompaninë gjermane Jacques-d.de, kanë prezantuar mundësinë e shitjes së produkteve të Kosovës në tregun evropian, nëpërmjet platformës digjitale "Porta Komerciale".

Skënder Krasniqi, kryetar i bordit të OAK tha se kjo do të jetë një mundësi e rritjes së eksportit të produkteve tona në tregun evropian, pasi që disbalanci eksport-import në vendin tonë, vazhdon të jetë alarmant.

Krasniqi: Disproporcion i lartë në mes importit dhe eksportit

“Raporti eksport-import edhe përkundër përpjekjeve tona si biznese dhe të Qeverisë,  po vazhdon të jetë në një disproporcion të madh, më të madhin në Evropë dhe Ballkan. Raporti po vazhdon të jetë në shifra të njëjta, përafërsisht 90 për qind import dhe 10 për qind eksport, me çka tregon se ekonomia jonë vendore,  është në nivel jo të kënaqshëm. Përveç  raportit dhe shifrat vazhdojnë të jenë tepër të ulëta, apo më mirë të themi qesharake, në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit dhe po vazhdon të qëndroj si një alarm për gjithë vendin, e sidomos për Qeverinë e Kosovës, që duhet të punojë shumë më shumë, praktikisht në këtë drejtim. Këtë po e ilustrojmë dhe me fakte se totali i eksporteve të Republikës së Kosovës në vitin 2017 ishte 346 milionë. Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së gjatë 2016 –ës kanë arritur 69.9 milionë ose rreth 22.6 për qind e eksporteve të përgjithshme , me një rënie prej 34 për qind. Ndërsa eksportet e Kosovës nga vendet e BE së në vitin 2016 ishin 1.2 miliard ose 43.1 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 8 për qind, do të thotë raporti eksport- import me BE-në është 6 për qind eksport, 94 për qind import ”, tha ai.

Ndërkaq Megi Maass, udhëheqëse për investime në Kosovë, tha se ideja për këtë platformë digjitale për Kosovën, ka ardhur duke pasur parasysh zhvillimin e biznesit të Kosovës, i cili nuk është në nivel të kënaqshëm.

Maass: Kjo platformë mund ta bëjë zhvillimin e bizneseve tona

“Ideja erdhi duke diskutuar me BE-në,  se si mund të ndihmohet Kosova në këtë drejtim. Prandaj dhe në bisedë me ta, me kryesuesit e BE-së, menduam që ta bëjmë një platformë digjitale, ku kjo platformë  do të mund ta bëjë zhvillimin e bizneseve tona, jo vetëm në nivel rajonal të Ballkanit, mirëpo në shtete e BE-së ku do të mund t’i kishin të gjitha produktet tona, të cilat i kemi produktet më të mira se sa vendet tjera.... Unë besoj se nga kjo platformë, Kosova dhe biznesi i Kosovës, do të zhvillohet në atë mënyrë, ashtu siç ne si Kosovë e meritojmë, ashtu siç e meriton biznesi i Kosovës”, tha ajo.

Ndërkaq  Claus Bollrath, CEO në kompaninë gjermane Jacques-d.de, tha se  kanë ardhur në Kosovë, ku kanë hulumtuar tregun dhe kanë parë se në Kosovë ka produkte kualitative, të cilat do të mund të depërtonin në tregun evropian.

Bollrath: Do të punojmë që produktet të Kosova sa më shpejtë të jenë në tregun e BE-së

"Në Kosovë afërsia është,  për dy ore jemi këtu. Kostoja e transportit në krahasim më të Kinës dhe kualiteti është shumë më i mirë, se sa një produkt kinez. Kemi menduar që këto produkte duhet të jenë  në tregun evropian. Mos të punojmë më Kinën apo Tajlandën, por të koncentrohemi  këtu sepse çmimi dhe kualiteti është shumë në nivel. Kemi vendosur që ta bëjmë një Portë Komerciale, sa i përket Kosovës dhe tregun në Kosovë. Shumë projekte që kemi në kompanitë në Hong Kong, s’do t’i bëjmë më tutje por do të koncentrohemi në Kosovë, për t’i dhënë mundësi për tregun evropian... Ky është vetëm fillimi jonë në Kosovë, mendoj dhe shpresoj që me idenë që kemi, të arrijmë sa më shpejtë në tregun gjerman dhe evropian”, tha ai.

Ndërsa Thomas Schules i cili bëri prezantimin e “Portës Komerciale”, tha se shpreson që kjo platformë do të ketë një sukës të madh për Kosovën, ku produkte nga këtu do të mund të gjenden në të gjitha vendet e Evropës.

Schules: Jemi munduar ta kemi një zgjidhje të mirë për produktet e Kosovës

"Jemi menduar që ta kemi dhe një zgjidhje dhe për Kosovën. Ne dëshirojmë që ta hapim një portë për të qenë në tregun në gjithë boten. Në “Portën Komerciale”, një kompani mund ta gjejë produktin, ku ai mund të informohet, jo vetëm për produktin por dhe prodhimin e produktit. Përmes  Portës Komerciale, duhet ta bëjmë si një shtëpi, se si mund t’i bëjmë kompanitë tjera evropiane që të kenë besim tek ne, që t’i japim një besim klientit potencial. Edhe transporti nga Kosova është me rëndësi për kompanitë evropiane. Nëse produktet vijnë nga Kina i duhet 6 javë, ndërsa për të ardhur produkti tek blerësi nga Kosova, i duhet vetëm një javë“, tha ai.

Ai shtoi se përmes kësaj platforme do të bëhet prezantimi i produkteve të Kosovës dhe kualiteti i tyre, me qëllim që tek kompanitë evropiane të krijohet edhe besimi në produktet të cilat do të prezantohen në platformën në fjalë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat