Diplomacia ekonomike, mundësi reale e zhvillimit të Kosovës

Ekonomi

Diplomacia ekonomike, mundësi reale e zhvillimit të Kosovës

Më: 7 maj 2018 Në ora: 16:37
Edicioni i 5-të të shkollës pranverore për diplomatë të rinj

Me gjithë sukseset e deritashme, Kosova në fushën e diplomacisë vazhdon të sfidohet si në aspektin e njohjeve, po ashtu edhe në anëtarësimin e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare.

Kështu u tha me rastin e fillimit të “Edicionit të 5-të të shkollës pranverore për diplomatë të rinj”, me temën: “Diplomacia ekonomike, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi nëpërmjet Procesit të Berlinit”, organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung FES. 

Pjesëmarrësit kanë vlerësuar se përkundër sfidave, diplomatët e rinj duhet të kenë përgjegjësinë e zhvillimit të vendit dhe diplomacia ekonomike duhet shfrytëzuar si një mundësi ideale.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, ambasador Beqir Ismaili, tha se ekonomia është bërë një shkak i madh i shfaqjes së marrëdhënieve diplomatike midis shteteve.

"Nuk ka më tregje lokale apo kombëtare, por të gjitha janë bërë tregje globale, gjë që na kërkon të promovojmë interesat kombëtare të vendeve tona në tregjet botërore për t'i përfituar ato", ka thënë ai.

Ndërsa, drejtori për Kosovën i Friedrich Ebert Stiftung FES, Frank Hankte ka folur për rolin dhe përgjegjësinë e diplomatëve për zhvillimin e vendit.

“Ju jeni përgjegjës për zhvillimin ekonomik dhe negociatat me investitorët e huaj. Neve na duhet ekonomi që i shërben nevojave tona”, ka thënë Hankte. 

Ndërkohë, Nabil Ayad, këshilltari i jashtëm i ministrit të Jashtëm të Kosovës, ka folur për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet shteteve.

“Sa i përket diplomacisë ekonomike, duhet të kemi parasysh vlerësimin e performancës. Në demokraci të gjithë duan të dinë performancën. Në këtë rast, Qeveria është përgjegjëse për gjenerimin e të ardhurave”, ka theksuar ai.

Zëvendësministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës është duke bërë gjithçka për të qenë pjesë e BE-së dhe nuk ka alternativë tjetër, ndërkohë ka ritheksuar nevojën e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ka folur për procesin e integrimit evropian dhe liberalizimin e vizave. Sipas tij, liberalizimi i vizave duhet të jetë diçka shumë natyrale, si mundësi për të eksploruar Evropën.

Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka vlerësuar se paqja dhe ekonomia shkojnë bashkë. Ai ka theksuar se nevojën e krijimit të një zone të lirë qarkulluese në rajon. Ndërkohë, ai ka shtuar se Gjermania duhet të shërbejë si shpresë se ne mund ta ndërtojmë Gjermaninë edhe këtu.

Edicioni i sivjetmë i shkollës pranverore për diplomatë të rinj do të vazhdojë deri më 10 maj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat