Mbi 630 mijë të punësuar dhe 90% e bizneseve përfituan nga ulja e taksave

Ekonomi

Mbi 630 mijë të punësuar dhe 90% e bizneseve përfituan nga ulja e taksave

Më: 27 maj 2018 Në ora: 16:15
ilustrim

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ka vijuar takimet në kuadër të turit të llogaridhënies publike “Puna për Shqipërinë që Duam”, në njësitë Labinot Mal dhe Fushë Labinot të Bashkisë Elbasan.

Në takim morën pjesë edhe deputeti i zonës, Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, Kryetari i bashkisë Elbasan si dhe drejtuesit e institucioneve kryesore vendore dhe qendrore.

Gjatë fjalës së tij  Ministri u ndal tek debati për taksat.

“Janë 630 mijë qytetarë të punësuar që kanë përfituar nga ulja e taksave. Po a e dini, për këta 630 mijë, sa para në vit iu ngelen në xhep këtyre të punësuarve, që përpara 2013-ës shkonin në buxhet e bëheshin rrush e kumbulla tek Rruga e Kombit, me 300 milionë të vjedhura? Janë 120 milionë dollar në vit, që sot shkojnë në xhepat e qytetarëve dhe ky nuk është debat politik, ky është një fakt.

Në të njëjtën kohë, sot janë 110 mijë biznese aktive në Republikën e Shqipërisë dhe po ju them që me taksën zero dhe taksën 5%, së bashku me ndryshimin që po bën qeveria me iniciativë të Kryeministrit, duke rritur tavanin nga 8 milionë në 14 milionë për bizneset që ta kenë tatim fitimin e ulur nga 15% në 5%, pra tre herë ulje, përfitojnë në total nga të gjithë këto masa, 93-95 mijë biznese. Që do të thotë, 90% e bizneseve në Republikën e Shqipërisë e kanë taksën të ulur”, theksoi Ministri.

Gjatë fjalës së tij, ministri Ahmetaj tha se dialogu me qytetarët e ka ndihmuar qeverinë të reflektojë me shumë vëmendje e modesti për kërkesat, opinionet, ankesat e vërteta dhe legjitime të qytetarëve, në mënyrë që çdo ligj, vendim apo procedurë që hartohet në zyrat e shtetit, të ketë në thelb përgjegjshmërinë ndaj qytetarëve që preken prej tyre.

“Llogaridhënia kalon përtej atij aksioni politik që ka një forcë politike apo qeverisëse me qytetarët e vet. Llogaridhënia jonë ka ndërruar tërësisht mënyrën si ne komunikojmë me qytetarët, me sipërmarrjet, me mënyrën si ne duam të qeverisim. Jo më kot kemi thënë që në ditën e parë të mandatit të dytë që koalicioni ynë është më qytetarët dhe imagjinojeni sikur kjo që bëjmë ne të mos ndodhte dhe të vinim vitin tjetër në prill e në maj, të fillonim të bënim takime elektorale. Çdokush nga ju, që është majtas, djathtas, në qendër apo i paangazhuar, me të drejtë, gjëja e parë që do të thoshte do ishte, “Po mirë, ku ishit ju deri tani”?!

Pra, ka ndryshuar në themel mënyra e të bërit politikë, jo të të bërit politikë por politikë për qytetarin. Dhe ky është një moment i mirë të reflektojmë për çka kemi bërë, atë që do bëjmë dhe atë që duam të bëjmë së bashku” – tha Ministri.

Ahmetaj u ndal tek disa nga politikat kryesore ekonomike, duke theksuar diferencën në qasjen ndaj qytetarëve dhe sipërmarrjes mes dy qeverive para dhe pas vitit 2013.

“Asnjëherë nuk duhet ta harrojmë se ku ishim kur morëm detyrën. Ne gjetëm të gjitha mundësitë e një krize greke në shtator të 2013. Kriza greke do të thotë që nga një pension 150 mijë lekë, të të përfundojë pensioni në 50 mijë lekë. Kriza greke do të thotë që nëqoftëse ke një rrogë 600 mijë lekë, të të përfundojë rroga në 150 mijë lekë dhe kriza greke do të thotë që nëqoftëse ke pasur 100 lek në depozitë, të kesh vetëm 40 lekë. Kriza greke do të thotë që e gjithë kjo sipërmarrje këtu që ka një mijë punëtorë, në krye të një viti të kishte 200 punëtorë maksimumi. E gjithë ajo përkthehet në varfëri.  Por për shkak të përgjegjshmërisë politike, ne ia dolëm dhe tashmë jo vetëm që e kemi lënë pas krizën greke, por sot ne presim të hapim negociatat me BE dhe realisht ne jemi ndër vendet me rritje ekonomike ndër më të lartat në rajon”.

Duke iu referuar zhvillimeve politike në vend, Ahmetaj tha se qytetarët presin më shumë nga qeveria e Partisë Socialiste sepse vetëm nga një qeveri që punon, mund të kërkohet të bëhet më shumë.

“T’i kërkoje çfarë të doje Sali Berishës, do vinte të thoshte këtu ne jemi vendi i dytë pas Gjermanisë, do ta linte këtë gërmadhë siç e la, do vazhdonte të gënjente dhe ku ishim? Aty ku na la! Ndërsa një qeveri që bën punë, asaj do t’i kërkojmë më shumë. Dhe nëse vjen qeveria këtu e thotë bëra, do t’i themi, po, tani do bësh dyfish. Kjo është diferenca e kësaj qeverie me atë qeverinë që kemi lënë mbrapa.

Në raport me pritshmërinë, ne kemi shumë për të bërë, prandaj unë ngul këmbë çdo dit me miqt e mi dhe me ju, që Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk ka arritur akoma në gjysmën e rrugës së saj. Kemi shumë për të bërë” – tha Ahmetaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat