Forum 2015 trajton kontratat e dëmshme të Kosovës

Ekonomi

Forum 2015 trajton kontratat e dëmshme të Kosovës

Më: 3 korrik 2018 Në ora: 06:07
Ilustrim

Forum 2015 do të organizojë sot tryezën e radhës me temë “Kontratat e dëmshme të Kosovës: kush ka faj?”. 

Qëllimi i kësaj tryeze është që të trajtohen kontratat e dëmshme të cilat zbatohen nga institucionet publike të Kosovës, përfshirë pasojat që kanë këto kontrata.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës është duke u përballur me konteste gjyqësore, të cilat rrjedhin si pasojë e formulimit dhe zbatimit joadekuat të kontratave publike. 

Këto konteste gjyqësore tregojnë se Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera publike nuk kanë arritur të dizajnojnë kontrata të plota dhe të respektojnë detyrimet që dalin nga marrëdhëniet e tilla kontraktuale. 

Përderisa rezultatet nga këto konteste potencialisht mund t’i kushtojnë jashtëzakonisht shumë buxhetit të Kosovës, ende nuk është vënë askush para një përgjegjësie as politike e aq më pak penale për këto raste. 

Është shqetësues fakti që afërsisht dy dekada nga përfundimi i luftës dhe një dekadë pas pavarësimit të vendit, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të krijojë një sistem efikas për menaxhimin e projekteve të mëdha publike. Posaçërisht kur kemi parasysh se kontratat të cilave ju referohemi përfshijnë, mes tjerash, projektet që janë proklamuar si projektet kryesore zhvillimore të Kosovës.
 
Gjatë kësaj tryeze do të prezantohet studimi i hartuar nga Instituti Riinvest. Për të diskutuar rreth këtyre problemeve, kemi ftuar panelistët: Pal Lekaj – Ministër i Infrastrukturës; Valdrin Lluka – Ministër i Zhvillimit Ekonomik; Korab Sejdiu – Deputet në Kuvendin e Kosovës; dhe Alban Hashani – Drejtor Ekzekutiv, Instituti Riinvest.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat