Milionat e qytetarëve të Kosovës për shalqinj, rrush e pjeshka

Ekonomi

Milionat e qytetarëve të Kosovës për shalqinj, rrush e pjeshka

Më: 6 gusht 2018 Në ora: 15:17
Ilustrim

Shalqinjtë vazhdojnë të mbeten të preferuarit e qytetarëve të Kosovës gjatë sezonit veror. Përveç shalqinjve, as rrushi e pjeshkat nuk mungojnë në tryezat e banorëve më të varfër në rajon. Vetëm për t’i siguruar këto pemë prej vendeve të tjera, nga xhepi i kosovarëve këtë vit janë derdhur me miliona euro.

Shalqiri, rrushi e pjeshkat janë fruta pa të cilat kosovarët as që e nisin verën. Edhe këtë vit, për t’i siguruar këto produkte ata kanë shpenzuar miliona euro.

Vetëm për gjashtë muaj në vend për të blerë shalqinj, rrush e pjeshka, banorët e vendit më të varfër në rajon kanë shpenzuar mbi 4 milionë euro.

Ndërsa, që prej vitit të kaluar e deri më tani janë importuar mbi 48 milionë kilogramë nga këto produkte, e që kapin një kosto prej 10 milionë e 337 mijë e 256 euro.

Në bazë të statistikave të Doganës prej tërë këtyre produkteve, shalqiri duket së është më i preferuari i kosovarëve.

Mbi 16 milionë kilogramë shalqinj në vlerë prej 2 milionë e 739 mijë e 344 euro janë importuar nga kosovarët vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti. Gjersa për dy vitet e fundit, kjo sasi shkon në më shumë se 35 milionë kilogramë.

Edhe sasia e pjeshkave që janë importuar nuk është e vogël. Më shumë se 1 milion euro është shuma e parave që kanë harxhuar kosovarët për të blerë nektarina dhe pjeshka të llojeve të tjera.

Por, ndonëse konsumohet shumë, kultivimi i shalqirit nuk i plotëson kërkesat. As pjeshkat e rrushi që kultivohen në vend nuk i përmbushin kërkesat e qytetarëve. Sikurse për shumë produkte të tjera, edhe për shalqinj, pjeshka e rrush, vendi e ka të detyruar importin prej vendeve të tjera.

Janë më se 20 shtete brenda e jashtë Evropës prej të cilave, Kosova i siguron këto pemë. Sasia më e madhe e këtyre pemëve vijnë nga Shqipëria, Greqia e Maqedonia. Por, jo vetëm.

“Nga Shqipëria në këtë gjashtëmujor kanë hyrë 12 milionë e 752 mijë e 711 kilogramë shalqinj dhe 89 mijë e 65 kilogramë rrush i freskët”, thuhet në statistikat e Doganës.

Vendi këto produkte i siguron edhe nga Afrika Jugore e Kina. Gjersa, vende të tjera prej të cilave importohen këto produkte janë edhe Argjentina, Brazili, Kili, Kostarika, Spanja, Greqia, Kroacia, India, Italia, Mali i Zi, Maqedonia, Namibia, Nigeria, Panamaja, Peruja, Turqia, Serbia, Zambia, Argjentina, Kina, Mali i Zi, Holanda dhe Tunizia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat