Agjenda politike të mos pengojë vendin të merret me ekonomi

Ekonomi

Agjenda politike të mos pengojë vendin të merret me ekonomi

Më: 6 gusht 2018 Në ora: 18:38
Berat Rukiqi

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, gjatë një konference për media, ka shpalosur mendimet rreth zhvillimeve të fundit ekonomike, sfidave me të cilat po ballafaqohen bizneset dhe progresin që po bën OEK në adresimin e tyre.

Duke folur për dialogun në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Brukselit, kreu i OEK-ut tha se agjendat politike nuk duhet të pengojnë zhvillimin ekonomik.

Rukiqi: Agjenda politike të mos pengojë vendin që të merret me ekonomi

“Asnjë agjendë politike nuk duhet të pengojë vendin që të merret me ekonomi, pasi që ne po humbim shumë hapa në raport me rajonin. Rajoni ka probleme politike edhe në rastin e Bosnjës, por shumëçka që ka sjellë si pasojë politika ka ruajt një normalitet duke u marrë me ekonominë”, ka thënë ai.

Rukiqi tha se sektori që krijon punësim dhe mundësi për eksport, është ai për prodhimin e pijeve alkoolike dhe jo alkoolike, por mos heqja e akcizës dhe taksës ujore po pengon zhvillimin e kësaj fushe.

Rukiqi: Kosova vendi i vetëm në rajon me akcizë për prodhimin e pijeve

“I vetmi vend në rajon që ka ende akcizë në prodhimin e pijeve e alkoolike dhe joalkoolike  është Kosova. Jo që ka këta realisht nuk janë të gatshëm të paguajnë, por ne kemi pasur shumë potenciale eksportuese të këtij sektori dhe për të rritur potencialin eksportues ne mendojmë se ka hapësirë të rritet aftësia konkurruese dhe ajo rritet nëse performojnë ose i kanë kushtet e barabarta në rajon. Nëse vendet e rajonit nuk kanë akcizë, atëherë është e paarsyeshme dhe për këtë kemi diskutuar edhe me kabinetin e kryeministrit Haradinaj. Besojmë se ka një vullnet që të merret një vendim dhe ne pas kësaj konference do t’i drejtohemi kryeministrit”, ka thënë ai.

Taksa ujore ka qenë një problem tjetër që ka shtruar në këtë konferencë kryetari i OEK-ut, sipas të cilit është i domosdoshëm një epilog për këtë temë e cila afekton direkt prodhuesit e ujit dhe akoma mbetet e pazgjidhur për një kohë të gjatë.

Rukiqi: Duhet një vendim që shteti ta mbledhë taksën

“Duhet një vendim që shteti ta mbledhë taksën dhe kompanitë të operojnë si legale, pasi janë në një terren apo zonë të askujt dhe i bën ata të jenë me një pasiguri, pasi në çdo rrethanë ku duhet të mblidhen 50 milionë taksa, nëse shkojmë në këtë variant, rrezikohet falimentimi  këtyre kompanive”, ka thënë ai.

Rukiqi ka përmendur vizitat me bizneset dhe një ndër problemet kryesore që ata hasin është çështja e energjisë elektrike, në mënyrë që kjo të zgjidhet deri në fund të vitit sa i përket infrastrukturës dhe investimeve në stabilizimin e tensionit.

Rukiqi: Rregullatori ka pasur një rol shumë të dëmshëm

“Ne jemi duke hartuar një marrëveshje me KEDS-in që në Odën Ekonomike të Kosovës të jetë një qendër permanente e dhënies së këshillave për biznese sa i përket çështjeve që lidhen me furnizimin me energji...Rregullatori ka pasur një rol shumë të dëmshëm në procesin e rregullimit të raporteve mes bizneseve dhe furnizuesve me energji elektrike, pasi nuk ka qenë i gatshëm të dëgjojë nevojat e biznesit”, ka thënë ai.

Sipas tij, propozim tjetër është që për kompanitë prodhuese, qeveria të jetë subvencionuese në kyçjen e energjisë elektrike.

Për më tepër Rukiqi foli edhe për Ligjin për TVSH-në dhe tha se duhet të zgjidhen disa elemente sa i përket kësaj çështje duke përfshirë eliminimin e paqartësive që ka sjell ligji i mëparshëm, mekanizmi i mbledhjes së TVSH-së brenda vendit e jo në kufi si dhe krijimi një agjencie që merret vetëm me TVSH.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat