Investimet kanë mbështetur rritjen ekonomike në vendet e rajonit

Ekonomi

Investimet kanë mbështetur rritjen ekonomike në vendet e rajonit

Më: 3 shtator 2018 Në ora: 15:05
Ilustrim

Ekonomitë e vendeve të rajonit, me përjashtim të Maqedonisë, janë përmirësuar në tremujorin e parë të vitit, në kushtet e një mjedisi me stabilitet politik e me paqartësi më të ulëta mbi të ardhmen.

Banka e Shqipërisë në raportin mbi politikën monetare, citon se burimet e rritjes janë të ndryshme nga vendi në vend, por kryesisht kanë qenë investimet ato që kanë mbështetur rritjen ekonomike në të gjithë rajonin.

Papunësia po ndjek një tendencë rënëse, me përjashtim të Serbisë. Ndërsa tremujorët në vazhdim pritet të sjellin përmirësim të mëtejshëm në vendet e rajonit, të ndihmuar nga qëndrueshmëria makroekonomike dhe pritjet në partnerët e tyre tregtarë. Sipas raportit të BSH-së, presionet e inflacionit janë në rritje dhe vlerat e inflacionit ndodhen në trajektore rritëse.

Ekonomia e Turqisë u zhvillua me ritme të shpejta në tremujorin e parë të vitit, si pasojë e rritjes së shpenzimeve konsumatore dhe investimeve. Ekonomia vendase ka përfituar nga disa iniciativa të qeverisë për të rritur kreditimin e ekonomisë nëpërmjet garancive shtetërore dhe lehtësimit fiskal. Në kahun frenues ka ndikuar tkurrja e eksporteve neto.

Ekonomia e Kosovës përshpejtoi ritmin e rritjes në tremujorin e parë të vitit, ku investimet, kryesisht ato qeveritare, ishin mbështetësi kryesor. Rritja e eksporteve neto ka ndikuar pozitivisht në rritjen totale të ekonomisë, ndërsa shpenzimet konsumatore janë ngadalësuar për të dytin tremujor radhazi.

Aktiviteti ekonomik në Serbi është përmirësuar edhe në tremujorin e parë të vitit, duke vijuar trajektoren rritëse të nisur disa tremujorë më parë. Rritja ekonomike është mbështetur nga rritja e konsumit privat dhe investimeve, ndërsa eksportet neto kanë tërhequr poshtë rritjen ekonomike.

Ekonomia e Maqedonisë është rritur me ritme minimale në tremujorin e parë të vitit, me kërkesën e huaj dhe konsumin privat si mbështetës kryesor. Rritja e dobët ekonomike i atribuohet rënies së ndjeshme të investimeve publike.

Projektet infrastrukturore nuk arritën të realizoheshin, për shkak të krizës politike

që përjetoi vendi një vit më parë. Pritjet për rritjen ekonomike, për tremujorët në vijim, janë pozitive. Ato mbështeten nga forcimi i konsumit privat dhe rikuperimi i investimeve publike, bën të ditur raporti i BSH-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat