Paradoksi i tregut finnciar në Kosovë - Bota Sot
Paradoksi i tregut finnciar në Kosovë

Ekonomi

E hënë, 22 tetor 2018

Paradoksi i tregut finnciar në Kosovë

Nga: Dr. Artan Haziri Më: 8 shtator 2018 Në ora: 23:13
Ilustrim

Paradoks i veçantë  i  tregut  financiar Kosovar  është  edhe fakti  se rreth një miliard të shtetit të Kosovës janë të deponuara në tregun ndërkombëtar të kapitalit, për kthimin e të cilit në Kosovë deri më tani nuk ka pasur ndonjë vullnet politik. Investimi i këtij kapitali domethënës në tregun bankar të Kosovës me kamata të ulëta, do të kishte efekte multidisiplinare në zhvillimin ekonomik të Kosovës, mundësi kjo që nuk u shfrytëzua nga asnjë qeveri deri më tash.

Mungesa e kapitalit financiar të mjaftueshëm, qoftë nga burimet e vendit e qoftë nga burimet e jashtme për investime në ekonomi dhe krijimin e vendeve të reja të punës, imponon nevojën e hartimit të strategjisë së zhvillimit ekonomik, e cila strategji do të mbështetej në prioritete zhvillimore të qëndrueshme.

Në mungesë të kapitalit financiar, shteti i Kosovës orientimin strategjik duhet ta ketë në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, ku krijimi i një vendi pune ka kosto më të ulët. Në këtë drejtim përparësi do të duhej dhënë zhvillimit të përparuar të bujqësisë e blegtorisë dhe përpunimit industrial të prodhimeve bujqësore e blegtorale. Me këtë shteti i Kosovës do të mund t’i realizonte disa caqe strategjike. Njëkohësisht, do të mund të zvogëlonte shkallën e papunësisë së kontigjentit të aftë për punë; do të mund të rriste bazën e taksapaguesve dhe të të hyrave të veta; do të mund të bënte zëvendësimin e importeve me prodhime vendore dhe mbetjen e qindra miliona eurove në tregun vendor, që do të mund të shërbenin për projekte të tjerë zhvillimor; si dhe do të mund të rriste eksportin në tregun rajonal e ndërkombëtar, e që me këtë do bëhej edhe zbutja e debalancit tregtar të pagesave.

Qeveria duhet të shikojë dhe të mësojë edhe nga  përvojat e të tjerëve. Të mos harrojmë se në saje të zhvillimit të bujqësisë intensive, disa shtete të Evropës Perëndimore, si, bie fjala, Holanda, kanë arritur kulmin e zhvillimit dhe të mirëqenies.

Ajo që duhet të dijë qeveria është se nuk ka ekonomi pa prodhim dhe nuk ka prodhim nëse shteti me politika ekonomike aktive nuk e stimulon biznesin, për të shtuar aktivitetin ekonomik. Dhe, nuk mund të ketë prodhim pa ngjalljen e kapaciteteve ekonomike që tash e 19 vjet mrizojnë dhe çdo ditë asetet humbin vlerën, sepse gjithnjë e më shumë amortizohen e bëhen jofunksionale dhe jo atraktive për çdo blerës apo investitorë të mundshëm.

Kosova mbetët edhe më tutje vend me përparësi e mundësi të shumta, por ende pa strategji të zhvillimit ekonomik. Ajo që duhet t’i frikohet shteti i Kosovës është teza e shpikur nga ana e maniakëve të ekonomisë se gjërat do të bëhen mirë vetvetiu, sepse bazohen në parimet e ekonomisë së tregut dhe të globalizimit. Kjo tezë është pohim jo i qëndrueshëm në shtetet e përgjegjshme, sepse praktika ekonomike e shumicës së shteteve bazohet në partneritetin e shtetit me biznesin, ku shteti ndihmon me politikat ekonomike e fiskale bizneset në arritjen e objektivave zhvillimore të tyre. Me këtë ndihmë shteti përfiton në mënyrë të shumëfishtë qoftë në mënyrë direkte apo indirekte.

Gjithmonë ekzistojnë segmente të caktuara ku shteti duhet të intervenojë me politika ekonomike e fiskale për të ndihmuar biznesin, e që deri më tani nuk janë aplikuar sa duhet nga ana e shtetit të Kosovës. Përvoja e Kosovës, si edhe e shumë vendeve të tjera në botë, dëshmoi se liberalizmi i tepruar në ekonomi i parapriu gjithherë anarkisë. Madje, edhe shtetet më të zhvilluara në botë kanë elemente proteksioniste në politikat e tyre ekonomike.

Politikat ekonomike e fiskale shtetërore kanë të bëjnë me stimulimin e zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjen e prodhimit vendor. Këto politika janë: politikat kreditore ndaj biznesit, politikat fiskale, politikat e privatizimit të kapaciteteve ekonomike, politikat e stimulimit të investimit të kapitalit të jashtëm me krijimin e mjedisit të shëndoshë për investime, politikat e subvencionit të prodhimit vendor, politikat e kufizimeve të importeve për produktet bujqësore sezonale, politikat e mbrojtjes së prodhimit vendor nga çmimet damping dhe nga konkurrenca jo e ndershme e huaj, politikat e luftimit të informalitetit në ekonomi, politikat e luftimit të korrupsionit etj. Këto janë sfera ku shteti mund të intervenojë dhe duhet të intervenojë, për t’i ndihmuar bizneset dhe zhvillimin e vet ekonomik. Një ekonomi e zhvilluar do të thotë më pak papunësi, më pak fonde sociale nga ana e shtetit për kategoritë e rrezikuara shoqërore dhe më shumë buxhet shtetëror nga taksat, e që do të përfitonte shteti nga biznesi i zhvilluar. Kosova është, ndoshta, i vetmi vend në botë që nuk ka strategji të zhvillimit ekonomik. Kosovës i nevojitet strategjia e zhvillimit ekonomik. Kosova në hartimin e strategjisë duhet t’i shikojë modelet e shteteve të tjera të zhvilluara, por ajo duhet ta ketë modelin e vet të zhvillimit ekonomik, që do të duhej të bazohej në përparësitë komparative që ajo disponon. Kosova ka shumë përparësi komparative ekonomike në krahasim me shtetet e rajonit. Ajo ka nëntokën e saj të pasur me lëndë të parë dhe minerale, që ia kanë lakmi shumë shtete. Ajo, për momentin, ka kapacitete ekonomike jashtë funksionit, që me investime të pakta do të mund të funksionalizoheshin, ka popullsinë relativisht të re e të shkolluar, ka tokën e saj të pëlleshme, ka infrastrukturë të rrugëve dhe të telekomunikacionit relativisht të zhvilluar, ka klimën e saj që favorizon prodhimin bujqësor e blegtoral, përparësi këto që shumë shtete nuk i kanë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test