Rritja e vendeve të punës në Kosovë

Ekonomi

Rritja e vendeve të punës në Kosovë

Nga: Dr. Artan Haziri Më: 26 shtator 2018 Në ora: 20:39
Dr. Artan Haziri

Në Kosovë , për  krijimin  e  vendeve të reja  të  punës  kemi  skema  të shumta, ndër të cilat do të mund ta përmirësonim gjendjen aktuale në vend. Ajo në çka do të mund të ndërhynin qeveria dhe ministritë përkatëse, do të ishin subvencionet në forma të ndryshme, si, për shembull:

•             Skema mbi financimin e bizneseve fillestare,

•             Skema mbi financimin e bizneseve në sektorin e bujqësisë.

Çdonjëri nga ne i atribuohet një drejtimi apo një profesioni mbi të cilin do të mund ta ndërtojë atë dhe të punojë në të. Prandaj, një plan biznesi mbi bazë të analizës SMART dhe analizave të tjera ndihmëse, do të ishte stimulues i vullnetit të mirë të punës mbi krijimin e vendeve të reja të punës.

Nga ajo çka sot punohet në vend, sektori bujqësor është në fazën më të hovshme të zhvillimit, prandaj subvencionet do jenë fryti më i mirë i rezultateve të rendimentit mbi kulturat bujqësore.

Qeveria dhe organet përkatëse duhet të krijojnë strategjinë e zhvillimit mbi politikën përkatëse e të punësimit dhe të vlerësojnë se në ç’masë politikat ekonomike ekzistuese janë në përputhshmëri me këtë qëllim primar, ngase nën këtë pikë do të rekomandoja: krijimin e kushteve më të mira për kredi për NVM-të dhe bizneset familjare, eliminimin e pengesave në tregti me vendet fqinje dhe, pastaj, krijimi për mundësinë e eksportimit edhe më tej, si dhe lansimi i një programi atraktiv për tërheqjen e investimeve të jashtme në forma të ndryshme.

Skema mbi financimin në sektorin e bujqësisë do të mundë të drejtohej në shumë mënyra për formën e shpërndarjes dhe për subvencionimin e qytetarit. Qeveria, fillimisht, mund t’u krijojë jetë më të lehtë qytetarëve, sidomos banorëve në zona rurale, p. sh., t’u ofrojë kushte për jetesë, bie fjala, qendër të mjekësisë familjare, rrjet telefonik e gjëra të tjera, që qytetarit do ia lehtësonin jetën.

E, kur qytetari ta ketë një jetë më të lehtë, ai aktivitetin biznesor mund ta zhvillojë edhe në fshat, ngase qytetari në zonën ku jeton edhe posedon tokë familjare, me të cilën ai e mbanë familjen.

Kjo mund të arrihet me bashkëpunim të qeverisë dhe qytetarëve në zona rurale. E, si? Qeveria t’i fillojë takimet me ta dhe të kuptojë se në çfarë forme ata dëshirojnë fillimin e punës dhe të jetësimit të bërit biznes. Dhe, nga interesimi i tyre, qeveria do të mund të aktivizonte një mekanizëm të ri të punës. E, pa dyshim, ai mekanizëm dukshëm do të ishte i mirëseardhur, ngase qytetari, së pari, nuk do të varej nga qyteti për shumë gjëra dhe si banor i zonës rurale do të mund ta shërbente, pastaj, qytetin me rendimentin të cilit i përkushtohet dhe me biznesin të cilin e bën.

Jeta normale e një qytetari do të kishte favore të shumta në këtë rast, ngase ai qytetar, i cili nis biznesin nga një subvencionim i qeverisë, jetëson produkte vendore dhe krahas kësaj ai do të punësonte më pas edhe shumë të tjerë, ngase tregu shumë shpejt do të absorbonte produkte me veti natyrale dhe produkte me cilësi të prodhimit të lartë që do të mund të arriheshin.

Dhe, nën këto përparësi, qeveria do të mund të propozonte një draft udhëzues për të gjithë të interesuarit në disa nene, si:

1. Për çdo banor të zonës rurale, i cili posedon mbi 2 hektarë tokë, qeveria e subvencionon me 30% të mbulimit të shpenzimit për mbjelljen e mjedrës;

2. Për çdo banor të zonës rurale, i cili posedon 20 krerë bagëti, qeveria e subvencion me makinë për grumbullim të qumështit;

3. Për çdo banor të zonës rurale, i cili posedon mbi 2 hektarë tokë, qeveria e subvencion me 30% të mbulimit të shpenzimeve për mbjelljen e kungujve.

Ndalemi te pika 1, ku tashmë e dimë se mjedra mund të përdoret në forma të ndryshme. Banori i zonës rurale mund ta jetësojë atë si produkt të vlefshëm dhe profitabil. Nga qeveria të propozohet edhe forma e bashkëpunimit, ngase një qytetar, nëse nuk i ka 2 hektarë tokë, ai mund të bashkohet me fqinj dhe planin e hartuar e të punuar më pas ta dorëzojnë në formë projekti dhe në bashkëpunim me organet qeveritare ta jetësojë biznesin.

Në pikën 2 kemi shumë eksportues të qumështit dhe të produkteve që vijnë nga qumështi. Prandaj, një subvencionim për të gjithë ata që posedojnë krerë bagëtish, do të ishte pasqyrë e mirë e investimit në produkte dhe punë vendore. Qytetari me anë të pikës grumbulluese do të ishte në gjendje ta bënte shitjen e qumështit.

Në pikën 3, po ashtu, mund të kemi bashkëpunimin e pikës 1 dhe më pas produkti të jetë për treg vendor, ku plasimi i tij mund të bëhet në markete, në formë të farave dhe aty të hyjë gramazha në shumë mënyra, ashtu që blerësi të këtë shumë çmime për zgjedhje.

Sektori i bujqësisë është, ndoshta, sektori primar në të cilën mundemi lehtë të zhvillohemi dhe më pas favoret do të ishin të shumta, sepse çdo interpretim i tij ka të bëjë me përfaqësim të produktit vendor.

Kosova zhvillon një ekonomi tranzicioni dhe sot si burim më i mirë i rregullimit të tregut të punës do të ishte financimi i prodhuesve vendorë, ngase aty do të mund t’i masim efektet e zhvillimit të biznesit në bazë të prodhimit vendor. Dhe, në këtë mënyrë, ky efekt do të ndikonte direkt në rritjen e bruto-prodhimit vendor, ngase rritjet ekonomike në kuadër të prodhuesve vendorë do të na dërgonin në një stabilitet makroekonomik të vendit, e si rezultat do të kemi rritje të punësimit, pa mëdyshje.

Në këtë rast politikat e shtetit do të duhej të ishin të matura, ngase çdo vendim i marrë në politikën fiskale nuk është i lehtë shkaku se ndryshimi i një variable mund të shkaktojë ndryshimin e variablave të tjerë dhe të marrë kah të gabuar. Për shembull, do të mund të kishim rënie të konsiderueshme të importit, me ç’rast prodhuesit vendorë do të mund të vendosnin çmimin pa ndonjë “pengesë” shtesë. Por, hartimi i politikave fiskale, në këtë rast, do të duhej t’i stimulonte prodhuesit vendorë deri në atë masë sa të pranohej çmimi i produkteve në treg dhe prodhuesit vendorë të mos “goditen” nga importi.

Por, shteti në hartimin e politikave fiskale dhe stimulimin e prodhuesve vendorë do të mund të ndërtonte politika të veçanta, si:

• Lehtësimi mbi eksportin e prodhuesve vendorë.

Dhe, si ta bënte këtë ?

• Për çdo prodhues vendor, i cili eksporton në vendet në rajon, do të ketë lirim të taksave deri në vlerën 5.000 euro për produkte.

Kjo do i krijonte favore kompanisë “VIPA chips”, e cila, si lider në tregun tonë, eksportin do e zhvillojë edhe më tej dhe këtë ta bënte pa embargo. Ky përfitim do të mund t’ia lehtësonte qarkullimin ditor, javor, por edhe vjetor.

Prodhuesit vendorë tanimë adresarin e tyre duhet ta kenë të orientuar në politikat e shtetit, sepse vendet e rajonit i kanë hapur korridoret. Shembull, sikur “VIPA chips” të bëjë eksportin e patateve në vendet në rajon dhe shteti favoret t’i ndërtojë mbi:

1. Bazën e vlerës eksportuese,

2. Bazën e shtimit të punësimit.

Baza e vlerës eksportuese për çdo vlerë të eksportit deri në 5.000 euro vlerë të mallit, tatimi të jetë 70% më lirë se në pragun aktual dhe pa kufizim të punëtorëve, se për çdo vlerë të kësaj sasie eksportuese të marrë punëtorë të rinj, e ata punëtorë të kenë kontrata sezonale, kurse më vonë për aftësitë e tyre të kenë edhe kontrata afatgjata.

Vendimi i marrë për ndryshimin e TVSH-së nga qeveria është, po ashtu, një element më shumë, i cili nuk mund t’i ikë rekomandimit tonë. Vendimi i tillë ndihmon zhvillimin e bizneseve dhe shpërndarjen e barrës tatimore te të gjithë pjesëmarrësit. Ana më e fortë pozitive nga ulja e tatimit vjen nga ulja e tatimit në produktet themelore, ngase tash qytetari me të hyra mesatare mund të kërkojë produktin me çmim të cilin mund ta përballojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat