BB: Kosova me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon, ngadalëson në punësim

Ekonomi

BB: Kosova me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon, ngadalëson në punësim

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 14:43
Zyrtarë të lartë të Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë

Kosova është vendi me zhvillimin më të shpejtë në rajon, me 4.2 për qind të rritjes ekonomike për këtë vit, ndërsa rritja parashikohet të arrijë në 4.5 për qind në periudhën 2019-2020, por perspektiva është e cenueshme nga rreziqe të jashtme dhe të brendshme.

Kështu kanë thënë zyrtarë të lartë të Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, në konferencën për media gjatë prezantimit të Raportit të Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Në raport, thuhet se rritja për rajonin e Ballkanit Perëndimor vlerësohet të konsolidohet në 3.5 për qind për 2018, sipas Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, rritje më e lartë, por e brishtë.

Sipas vlerësimeve, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia shënuan rritje me ritme mes 2.5 dhe 4 për qind.

Për këtë vit në Kosovë, investimet private kanë shënuar rritje, ndërsa investimet e huaja direket kanë shënuar rënie.

Asli Senkal, ekonomiste në Zyrën e Bankës Botërore për Kosovë, ka thënë se Kosova ka borxhin publik më të ulëtin në rajon, por është në rritje të shpejtë. Ajo shtoi se deficiti fiskal parashikohet të zgjerohet për shkak të investimeve të larta publike në infrastrukturë rrugore.

Sekal: Kosova është vendi me rritjen më të shpejtë në rajon

“Kosova është vendi me rritjen më të shpejtë në rajon dhe më e fortë pritet të vazhdojë me një normë rritjeje prej 4.2% në 2018, shumë e ngjashme me vitin e kaluar. Deficiti fiskal parashikohet të zgjerohet për shkak të investimeve të larta publike, kryesisht në infrastrukturë dhe për shkak të shpenzimeve buxhetore të mbrojtjes sociale më të larta se sa pritej. Megjithatë, deficiti fiskal do të mbetet në rregullin fiskal. Rritja parashikohet të arrijë 4.5%”, tha  Sinkal.

Ndërsa, sa i përket papunësisë, ajo ka thënë se në bazë të të dhënave zyrtare, papunësia është rreth 30 për qind. Senka vuri në pah se krijimi i vendeve të punës është ngadalësuar krahasuar me vitin 2017.

Senkal: Është ngadalësua punësimi në Kosovë

“Sa i përket punësimit, performanca e tregut të punës e ngjashme me atë të regjionit është dobësuar në vitin 2018. Nëse shikojmë grafikonin, shohim se është shumë e dobët se ajo e vitit 2017. Pra, në vitin 2017, Kosova ka shtuar me shume se 20 mijë vende të punës dhe gjatë kësaj kohe ka pasur më shumë njerëz që janë bërë pjesë e tregut të punës. Kjo ka çuar deri tek rritja e punësimit si dhe e papunësisë në vitin 2017. Dinamizmat kanë ndryshuar në gjysmën e parë të vitit 2018. Në dy mujorët e parë, krijimi i vendeve të punës u ngadalësua gjë që rezultoi me krijimin negative të vendeve të reja të punës krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit tjetër”, ka deklaruar Sinkal.

Mirëpo, kriza financiare e paralajmëruar në tregjet ndërkombëtare mund ta prekë Kosovën, por zyrtari i lartë në Zyrën e Bankës Botërore, Diego Garrido Martin, ka kërkuar nga Qeveria të punojë për ta zvogëluar krizën eventuale.

Martin: Qeveria të punojë për të zvogëluar krizën financiare

“Ne shohim rrezik sa i përket ambientit të jashtëm dhe këto rreziqe lidhen me ngushtimet e pritura në marketet financiare si dhe në normalizimin e politikës së monitorimit si në SHBA ashtu edhe në Evropë. Kjo do të thotë se në Shtetet e Bashkuara norma e interesit është rritur javën e kaluar dhe kjo natyrisht që do ketë efektin e vet në ekonomitë e vendeve të zhvilluara. Vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë të lidhura me pjesën tjetër të botës janë ekonomi të vogla dhe të hapura dhe natyrisht që këto përfitojnë nga zhvillimet pozitive në pjesën tjetër të botës. Kjo do të thotë se qeveritë duhet të punojnë shumë për të zvogëluar disa nga këto rreziqe që mund të ndikojnë në ekonomitë e tyre të brendshme”, ka thënë Martini.

Ndërsa, i pyetur nga mediat, për projektin energjetik “Kosova e re”, ku është e implikuar edhe Banka Botërore, Martini nuk ka dashur ta komentojë, duke thënë se për këtë projekt përgjegjës është Qeveria e Kosovës./I.Shabani/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat