Kompania që do ta ndërtojë “Kosovën e Re” flet pas tërheqjes së Bankës Botërore - Bota Sot
Kompania që do ta ndërtojë “Kosovën e Re” flet pas tërheqjes së Bankës Botërore

Ekonomi

E premte, 19 tetor 2018

Kompania që do ta ndërtojë “Kosovën e Re” flet pas tërheqjes së Bankës Botërore

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 17:42
“Kosova e Re”

Presidenti i kompanisë ‘Contour Global’, Joseph Brand, ka thënë se tërheqja e Bankës Botërore nga mbështetja për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, nuk përbën kurrfarë rreziku për vazhdimin realizimit të këtij projekti.

Ai ka thënë se roli i Bankës Botërore në këtë projekt nuk ka qenë asnjëherë sigurimi i financave, duke thënë se deklarimet e presidentit të kësaj organizate, Jim Yong Kim, nuk kanë asnjë ndikim.

“Banka Botërore është e pa rëndësishme për realizimin me sukses të termocentralit ‘Kosova e Re’,  i cili është një projekt kyç për të ardhmen e furnizimit të Kosovës me energji dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Roli i Bankës Botërore nuk ishte asnjëherë që të sigurojë financimin për projektin, dhe deklaratat e presidentit të Bankës Botërore, nuk kanë ndikim në këtë proces. Së bashku me Qeverinë e Kosovës mbetemi të vendosur në mënyrë për realizimin e këtij projekti. Ne mbetemi të sigurt për gjetjen e mënyrës së financimit për një afat të caktuar kohor, duke filluar kështu ndërtimin në fillimin e vitit 2019”, ka thënë Brand.

Ai thotë se kompania e tij është në rrugën e duhur për sigurimin e mjeteve financiare për ndërtimin e termocentralit “Kosovës së Re”.

“Contour Global vazhdon të bëjë progres për financimin e projektit ‘Kosova e Re’. Nuk mbështetemi aspak në Bankën Botërorë. Por do të ketë  një  financim  miks nga institucionet financiare të zhvillimit si dhe Korporatat e Jashtme të Investimeve Private dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Eksportit. Këto diskutime janë në rrugën e duhur”, ka potencuar presidenti i Contour Global.

Për të njëjtën çështje, media ka kontaktuar edhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili thotë se është në dijeni të vendimit të Bankës Botërore që të mos e përkrahin ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe se për këtë po e pret raportin final për të mësuar arsyet e vendimit.

“Banka Botërore ende nuk e ka publikuar raportin final, ku edhe mund t’i shohim arsyet e mos përkrahjes së projektit”, ka thënë ministri Lluka.

Ministri i MZHE-së thotë se ky projekt është i një rëndësie jetike për Republikën e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të vendit dhe thotë se do të punojë se bashku me kompaninë ‘Contour Global’ që të përfundojnë këtë projekt sipas afateve të parapara.

“Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, siç është komunikuar deri më tani, është projekti më strategjik për vendin dhe zhvillimin ekonomik të saj që nga pas lufta, andaj, ju siguroj që së bashku me investitorin Contour Global, do të punojmë që ky projekt të përfundoj në afat të paraparë. Ne nuk do të bëjmë kompromise në dëm të sigurisë shtetërore të furnizimit me energji elektrike. Ne jemi përgjegjës për energji, dhe nuk do të lejojmë që Kosova të varet nga importet e energjisë, duke zhvilluar aktivitet ekonomik dhe punësime për vende tjera, përderisa ne kemi potenciale të jashtëzakonshme të gjenerojmë energji jo vetëm për nevojat tona, por edhe për eksport. Ne duhet gjithashtu të sigurojmë pavarësi energjetike dhe nuk ka alternativë tjetër, ashtu siç nuk kemi alternativa tjera për gjenerim të energjisë elektrike”, ka thënë Lluka.

I pyetur nëse rrezikohet realizimi i këtij projekti pas tërheqjes së Bankës Botërore , ministri Valdrin Lluka thotë se kompania ‘Contour Globa;, është në rrugë të drejtë për të siguruar mjetetet financiare për realizimin e projektit.

“Contour Global është në rrugë të drejtë të sigurimit të financimit të këtij projekti nga burime të ndryshme siç janë agjencitë eksportuese shtetërore dhe institucionet financiare ndërkombëtare”, është shprehur ministri i Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës, Valdrin Lluka.

Por, ka nga ata të cilët i janë gëzuar lajmit të tërheqjes së Bankës Botërore nga mbështetja për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

 Nga Instituti për Politika Zhvillimore, thonë së tërheqja e Bankës Botërore tregon se projekti për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re’, është bërë pa u koordinuar me mekanizmat serioz financiar.

Nga ky Institut, thonë që Qeveria e Republikës së Kosovës, duhet të tërhiqet nga ndërtimi i këtij projekti, dhe të kërkojë mënyrë tjera të zhvillimit në sektorin energjetik.

Sipas tyre një vendim i tillë i Bankës Botërore jep alarmin e fundit për rrugën e gabuar që ka ndjekur Ministria e Zhvillimit Ekonomik, dhe thonë se tregon domosdoshmërinë për t’u tërhequr nga ky projekt.

“Vendimi përfundimtarë i Bankës Botërore për të mos e mbështetur projektin “Kosova e Re” nuk duhet refuzuar me postime në Facebook. Përkundrazi, ky vendim, për institucionet dhe shoqërinë kosovare duhet të jetë alarmi i fundit mbi rrugën e gabuar që ka ndjekur MZHE-ja dhe domosdoshmërinë për t’u tërhequr sa më parë nga ky projekt. Kjo do të hapte rrugë Kosovës që seriozisht të konsideronte alternativat e tjera siç është investimi në efecientë e energjisë në të cilën ndodhet kapacitet kursyes i barasvlershëm me atë të një termocentrali të ri, në burime të ripërtrishme të energjisë, në modernizim dhe integrim të rrjetit elektrik etj. Vetëm kështu, Kosova do të përmbushë nevojën për energji duke ruajtur shëndetin dhe paranë publike dhe do të zbatojë obligimet në rrugën e integrimit evropian”, përfundon përgjigja e KOSID.

Lajmit për tërheqjen e Bankës Botërore nga projekti për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, e kanë mirëpritur edhe shumë ambientalist, të cilët e kanë quajtur si një vendim historik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test