Krasniqi: Gjendja ekonomike në Kosovë aspak e mirë krahasuar me Maqedoninë

Ekonomi

Krasniqi: Gjendja ekonomike në Kosovë aspak e mirë krahasuar me Maqedoninë

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 15:21
Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi

Me ligjin aktual, TVSH- ja, pushimi i lehonisë dhe gjendja e rëndë e klimës së të bërit biznes është në dëm të jashtëzakonshëm të bizneseve në Kosovë.

Kështu u tha në takimin e organizuar sot nga Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), ku morën pjesë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skender Reçica dhe bizneset.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi ka thënë se duke marrë parasysh përvojën e shteteve të tjera, OAK ka përgatitur një propozim që TVSH të paguhet në inkasim ose pasi të paguhet fatura nga obliguesi dhe se pagesën e lehonisë duhet ta marrë përsipër 100 për qind shteti.

Kreu i OAK-ut ka rekomanduar Qeverinë që Ligji për Investime Strategjike të bëhet funksional, pasi aktualisht nuk është duke dhënë rezultate.

Krasniqi: Lehonat të paguhen 100 përqind nga shteti, ligji për investime strategjike të bëhet funskional

“Ligji për lehonat, duke marrë parasysh se në Kosovë nga 600 mijë femra të afta për punë, vetëm 69 mijë janë të punësuara sipas Agjencisë së Statistikave dhe përvojave të rajonit. Ne kërkojmë që lehonat të paguhen 100 përqind nga shteti. Me arsyetimin, se punësimi është shumë i vogël. Nga 600 mijë meshkuj 270 mijë janë të punësuar, ndërsa nga 600 mijë femra janë vetëm 69 mijë të punësuara. Ligji për konkurrencë të jetë aktiv, të ulet çmimi I rrymës për biznese dhe të garantohet furnizimi me energji elektrike. KEDS, të paditet në rast të ndërprerjeve të paplanifikuara dhe dëmtimit të bizneseve. Të krijohet ofertë për rritje të punëtorëve nga bizneset dhe Ligji për investime strategjike të jetë funksional”, ka thënë Krasniqi.

Ai ngriti edhe çështjen e punësimit dhe mirëqenies sociale në Kosovë, duke përmendur faktin se në Kosovë punësimi këtë vit ka shënuar rënie. Sipas Krasniqit, prodhimi dhe eksportet në Maqedoni janë më të larta së në Kosovë, edhe pse kanë një numër të përafërt të popullsisë dhe të tjera.

Krasniqi: Gjendja ekonomike në Kosovë nuk është e mirë krahasuar me vendet e rajonit

“Askush nuk po e mohon punën që po e bënë Qeveria e tanishme, p.sh, me pako fiskale e të tjera. Megjithatë, gjendja në terren po tregon se mbetet shumë për të bërë sidomos kur shohim krahasimin  e Kosovës me vendet e rajonit me të dhënat e punësimit, eksportit, importit e të tjera. Qëllimi i Odës së Afarizmit, është që në bazë të gjendjes që po e pranojmë në terren, përmes kësaj tryeze të japim rekomandimet tona Qeverisë”, ka thënë Krasniqi.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë se është momenti i fundit për bërjen e politikave të qarta për zhvillimin ekonomik dhe se krijimi i vendeve të reja të punës dhe ruajtja e tyre duhet të jenë prioritet i Qeverisë.

Ai tha se mungesa e vetëdijes dhe dashurisë për vendin shpeshherë ka krijuar pa barazi në treg. Qeveria, sipas tij, ka filluar me disa ndryshime të politikave fiskale, por që nuk janë ende të mjaftueshme.

Limaj: Mirëqenia social duhet të jetë prioritet

“Është momenti  i fundit ku vendi ynë me pasur një pikënisje të ndërtimit të politikave të qarta ekonomike të vendit. Nga dita e parë e kësaj qeverie, angazhimi im dhe i kolegëve ka qenë pikërisht i fokusuar në këtë drejtim që prodhimi vendor dhe lufta për hapje vendeve të reja të punës dhe lufta për ruajtjen e vendeve të punës ekzistuese duhet të jetë prioriteti kryesor i Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Limaj. 

Ministri i Punës theksoi se MPMS po ballafaqohet me një shqetësim për papunësinë që është rreth 30 përqind, që llogaritet të jenë Kemi shifër rreth 100 mijë të papunë nga profile të ndryshme.

Papunësia, sipas Reçicës nuk ka lind në shtatorin e vitit të kaluar, por ka përcjellë gjenerata e gjenerata.

Reçica: Aftësimi profesional është çelësi i suksesit

“Në tavolinën time unë kam statistika të cilat ne  i kemi bërë si Ministri, që në disa profile të paktën edhe për shtatë – tetë vjet nuk kemi nevojë fare si shtet në prodhimin e disa kuadrove, sepse nuk kemi ku t’i dërgojmë, nuk kemi treg. Në më shumë se një profil. Këto janë ato vendimet të cilat ne duhet t’I bashkërendojmë në të ardhmen së bashku me Ministrinë e Arsimit ne planin nacional se çka duhet bërë brenda katër pesë vitesh. Kontingjenti e të papunëve që e kemi, si ta trajtojmë? Si të vijmë deri te një vend i punës për ta dhe në anën tjetër çka të bëjmë pas katër pesë vitesh që mos të prodhojmë kuadro të njëjta, kur nuk kemi treg. Madje as tregu evropian nuk i absorbon. Aftësimi profesional, është çelësi i suksesit për zbutjen e papunësisë në vend”, ka thënë Reçica.

Ndërsa, Hamdi Malushaj dhe Avni Haliti biznesmenë, ngritën çështjen e mungesës së kuadrove të kualifikuar dhe ngritjen e pagave në sektorin publik, që sipas tyre, sektori privat nuk është tërheqës as nga të rinjtë.

Ndërsa, zëvendës kryeministri Fatmir Limaj ka thënë se sugjerimet, konstatimet japin mundësi të mëdha për t’i marrë seriozisht pastaj edhe rekomandimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat