Rriten sipërfaqet e mbjella me patate, kultivuesit fillojnë shitjen

Ekonomi

Rriten sipërfaqet e mbjella me patate, kultivuesit fillojnë shitjen

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 16:58
Ilustrim

Sipërfaqet e mbjella me patate në vend janë rritur këtë vit. Bashkë me to, është rritur edhe rendimenti. Madje, shumë prej kultivuesve tashmë kanë filluar edhe t’i shesin patatet e grumbulluara. Në Ministrinë e Bujqësisë deklarojnë se fermerët janë subvencionuar edhe këtë vit me 300 euro për hektarë. Derisa shtojnë se patatet e prodhuara në Kosovë shiten në Shqipëri, Hungari, Rumania, Serbia, Irak dhe Irani. Ndërkohë që në Komunën e Vushtrrisë, që njihet ndryshe edhe si “qyteti i patates”, thonë se fermerët janë përkrahur me makineri bujqësore.

Familja Beqiri nga Mitrovica ka vite që merret me kultivimin e patateve. Madje, patatet tashmë janë kthyer në një biznes për ta.

Drilon Beqiri ka thënë se tashmë bëhen 10 vite, që nga koha kur kanë filluar të merren me kultivimin e patateve. Deklaron se në të ardhmen mendojnë që t’i rrisin kapacitetet edhe më shumë.

Këtë vit duket se ata nuk do ta kenë as problem që t’i shesin, shqetësim ky që ishte ngritur viteve të kaluara nga fermerët. Driloni thotë se tashmë e kanë siguruar tregun për shitjen e tyre.

“Afër 10 vite merremi me kultivimin e patateve. Kultivojmë në sasi të mëdha, dhe janë bio, dhe mendojmë që ti rrisim kapacitete.

Tregu është i siguruar çdo vit, por nëse rritet sasia është problem pak. Kërkesat për t’i blerë patatet janë gjithherë më të mëdhaja, meqenëse janë produkte bio”, ka treguar.

E shembullin e familjes Beqiri për të rritur sipërfaqet e mbjella me patate, duket se e kanë ndjekur edhe shumë fermerë të tjerë.

Gjithë kjo për faktin se këto sipërfaqe janë rritur këtë vit.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i kanë thënë se sipërfaqja e mbjellë me kulturën e patates këtë vit është rreth 6071.6 ha në nivel vendi.

Deklarojnë se krahasuar me vitin e kaluar, sipërfaqja është rritur.

E ndikim në rritjen e sipërfaqes po del të kenë pasur edhe subvencionet. Kjo pasi që gjithë fermerët që kultivojnë kulturën e patates në vend janë subvencionuar në vlerë prej 300 euro për hektarë.

Në këtë ministri thonë se këtë vit ka edhe rritje të rendimentit, ndonëse deklarojnë se ende janë në fazën e përgatitjes së të dhënave përfundimtare.

“Bazuar në të dhënat që posedon DPBT këtë vit kemi rritje të sipërfaqeve të mbjella me kulturën e patates në krahasim me vitin e kaluar.  Vitin e kaluar rendimenti ka qenë 25t/ha, ndërsa këtë vit kemi informacion për rritje të rendimentit, mirëpo ende jemi në fazën e përgatitjes së të dhënave përfundimtare”, thuhet në përgjigjet e MBPRZH’së drejtuar Gazetës Express.

Por, ndonëse rendimenti është rritur, kultivuesit e patateve duket se edhe ketë vit do të kenë të vështirë për të shitur produktet e tyre. Madje, nëse nuk arrijnë që të gjejnë zgjidhje për këtë problem, gjithë puna mund tu shkojë dëm.

Në MBRZH deklarojnë se patatet të cilat prodhohen në Kosovë do të eksportohen për në Shqipëri, Mal të zi, Hungari, Rumani, Serbi, Irak dhe Iran.

Derisa, deklarojnë se komunat në të cilat kultivohet më së shumti patatja mbeten Vushtrria, Podujeva, Peja, Ferizaj dhe Suhareka.

E në Komunën e Vushtrrisë, që njihet ndryshe edhe si “qyteti i patates”, thonë se fermerët që kultivojnë pataten po ndihmohen.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri  ka thënë se ata si komunë kanë marrë një sërë masash që kanë për qëllim përkrahjen e bujqve që kultivojnë pataten.

Tahiri thotë se këtë vit, fermerët janë përkrahur me makineri bujqësore. Deklaron se iu janë ndarë disa makina për nxjerrjen e patates dhe se do të vazhdojnë me ndihma të tilla.

“Ne si komunë kemi marrë një sërë masash që kanë për qëllim përkrahjen e bujqve që kultivojnë kulturën e patates. I kemi përkrahur me makineri bujqësore këtë vit. Iu kemi ndarë makina për ndarjen e patates , gjithsej gjashtë për nxjerrjen e patates”, ka thënë Tahiri.

Por, thotë se nga viti i ardhshëm, bujqit që kultivojnë pataten do të ndihmohen edhe më shumë.

Tahiri paralajmëron ndërtimin e një tregu, në të cilin vushtrriasit do të mund t’i shesin patatet. Derisa, iu bën thirrje Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që të rishikojnë politikat bujqësore në mënyrë që të ndihmohen bujqit edhe më shumë.

“Kemi ndarë buxhet për të subvencionuar 50 për qind të ujitjes së tokës  nga Ibër-Lepenci dhe po punojmë më Ministrinë e Bujqësisë që ta zgjidhim komplet këtë qështje. Dhe ti japim nga 100 euro për hektarë për bujqit dhe po ashtu do të ndërtojmë një treg të rregullt për prodhuesit vendor, për të shitur patatet.

Ndërsa, për sa i takon çmimit dhe masave mbrojtëse përgjegjëse është Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Tregtisë, me këtë rast iu bëj thirrje që të rishikojnë politikat për të mbështetur bujqit”, tha Tahiri për express.

Ndryshe, në qershor të këtij viti disa nga kultivuesit e patates në pamundësi për të shitur qindra kilogramë patate, i kishin hedhur skaj fshatrave të komunës së Vushtrrisë.

Kultivuesit e patateve u patën shprehur të zhgënjyer me komunën dhe Institucionet e vendit pasi që siç ishin shprehur, ata nuk u kishin ndihmuar në shitjen e tyre.

Madje disa prej tyre nuk patën arritur të shisnin asnjë kilogram, ndonëse kishin deklaruar se me të ardhurat nga kultivimi i patateve e siguronin edhe jetesën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat