Ministri i Zhvillimit Rajonal: Kemi hapur 608 vende të reja pune

Ekonomi

Ministri i Zhvillimit Rajonal: Kemi hapur 608 vende të reja pune

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 23:01
Rasim Demiri gjatë raportimit të punës së tij në Komisionin për Zhvillim Ekonomik

Rreth 600 vende të reja punë janë hapur këtë vit nga grantet e ndara nga Ministria e Zhvillimit Rajonal.

Kështu ka thënë sot ministri i këtij dikasteri, Rasim Demiri gjatë raportimit të punës së tij në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

“Sa i përket grantit që e kemi dhënë si Ministri për Zhvillimin Rajonal, e kemi ndarë në 3 pjesë, në lot 1 , lot 2 dhe 3, për bizneset fillestare, mesatare dhe biznese të mëdha. Në këtë fazë gjithçka ka qenë transparente qysh nga fillimi dhe këto aplikacione i ka pranuar Agjencia e Zhvillimit Rajonal dhe Ministria jonë i ka vlerësuar ato, ku Komisioni i Ministrisë ka punuar rreth 1 muaj në to. Në këtë projekt janë ndarë 1 milion e 400 euro, ku 128 firma kanë marre grante si dhe në bazë të kësaj janë krijuar 608 vende të reja pune”, tha ministri.

Ai tha se këtë e kanë vlerësuar në bazë të regjistrimit të secilit punëtor në Agjencinë Tatimore të Kosovës.

“Nëse dikush ka fituar 20 mijë euro fonde , ai është dashur ta vërtetojë në ATK që i ka regjistruar punëtorët, përndryshe nuk do ta fitonte projektin”, tha ai.

Demiri po ashtu shtoi se gjatë fazës së zgjedhjes së përfituesve të granteve që është bërë në qytetet  e Kosovës nuk është favorizuar asnjë person, pa marrë parasysh i cilit komunitet ka qenë.

“Sa i përket granteve, ne nuk kemi pikë të veçantë që ka të bëjë me punësimin e komuniteteve pakicë, pa marrë parasysh i cilit komunitet është, nëse nuk i ka përmbushur kriteret, nuk ka pasur favorizime dhe ne si Ministri nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë e t’i themi që t’i favorizoni ata, sepse në formular nuk ka qenë që të ceket se a është shqiptar, turk apo egjiptian. Programi ynë nuk është obligues që të jenë 10 për qind komunitete pakicë.”, tha ai.

Deputeti i Nismës, Veton Berisha tha se ka pasur nevojë që të raportohet nga ministri i Zhvillimit Rajonal, pasi sipas tij Komisioni duhet të jetë i informuar se si e menaxhojnë buxhetin kjo ministri e re dhe punën që e kanë bërë deri tash.

Ai po ashtu kritikoi edhe mos publikimin e të dhënave në web faqen zyrtare të Ministrisë.

“Gjërat që i cekët ju nuk kam arrit me pasë informacione deri tani sepse  faqja nuk është përditësuar me lajme dhe informacione dhe është e varfër, s’ka pasë publikime as statistika as të dhëna”, tha Berisha i cili njëherësh  ishte edhe iniciuesi i këtij raportimi.

Ndërsa anëtarja e këtij Komisioni nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, e pyeti ministrin se kush ka qenë pjesë e komisionit  vlerësues të përfituesve të granteve dhe tha se aty duhet të jenë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të odave.

Ministri iu përgjigj asaj se në këtë komision ishin punëtor civil të kësaj Ministrie, derisa shtoi se e merr si sugjerim nga ana e deputetes Bajrami që në të ardhmen të jenë pjesë e këtij komisioni edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Demiri po ashtu tha se gjatë këtij viti si ministri e re në Qeverinë e Kosovës kanë bërë vizita në shtetet e rajonit, si në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi për të marrë shembuj për mënyrën e funksionimit.

“Ne jemi dukë bërë përpjekje për një bashkëpunim me shtetet e rajonit, pasi që jemi ministri e re të marrim përvojat e tyre, por në fakt  kur i kemi folur atyre për sistemin tonë në ministri, sidomos Mali i Zi ka qenë i interesuar për punën dhe mënyrën e funksionimit të ministrisë sonë dhe kjo ide u ka pëlqyer për shpërndarjen e granteve për bizneset”, tha ai gjatë raportimit.

Ai po ashtu tha se me votimin e buxhetit për vitin 2019 buxheti i granteve në këtë Ministri do të rritet për 2.5 milionë euro.

“Ne kemi pasur disa takime me donatorët ndërkombëtarë,  me UNDP , me GIZ, HABITAT etj, ku së shpejti do të nënshkruajmë një memorandum bashkëpunimi për vitin e ardhshëm që do t’i ndihmojë Ministrisë tonë”, tha Demiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat