Vendosen taksa shtesë për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës

Ekonomi

Vendosen taksa shtesë për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 17:31
Qeveria Haradinaj

Të gjitha mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja në Kosovë tash e tutje do të paugajnë taksë shtesë prej 10 përqind.

Ky vendim është miratuar sot nga kabineti qeveritar, kërkesë kjo që u bë nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala.

Qumështi dhe produktet e tij, mollat, produktet higjienike, biskotat, lëngjet, medikamentet e alkooli, janë vetëm disa prej produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina e të cilave do t’u shtohet taksa shtesë.

Ministri Shala e ka arsyetuar kërkesën e tij për të vendosur këtë masë para anëtarëve të Qeverisë duke thënë se produket e këtyre dy shteteve po e dëmtojnë në masë të madhe tregun e Kosovës.

Shala: Të vendosen masa në importet e të gjitha produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës

“MTI ka bërë analizën e duhur të produkteve të cilat e dëmtojnë në masë të madhe tregun në Republikën e Kosovës. Andaj ,MTI propozon qeverisë që të marrin masa në importet e të gjitha produkteve të Republikës së Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Masa 10 përqind propozohet për të gjitha produktet e prodhuara dhe të cilat kanë origjinë të Republikës së Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, duke përjashtuar këtu produktet me brende ndërkombëtare , të cilat prodhohen në dy shtete. Unë po potencoj vetëm disa nga to qumështi dhe produktet e qumështit, mollat, produktet higjienike, tekstili, miell, materiali ndërtimor, biskotat e ëmbla, lëngjet, duke përjashtuar brendet ndërkombëtare”, tha ai.

Në lidhje me këtë vendim kryeministri Ramush Haradinaj tha se nuk do të rrinë çdoherë pa reaguar ndaj qasjes që Serbia e ka për Kosovën.

Ai tha se janë qindra milionë euro që i bën Serbia para në tregun e Kosovës, që siç tha Haradinaj, me paratë e qytetarëve të Kosovës po ndërmarrin veprime në dëm të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Haradinaj: Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare beson që çdo gjë e zgjidh tavolina e dialogut

“Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare po beson që çdo gjë e zgjidh tavolina e dialogut, përfshirë edhe liberalizmin e vizave, mendojnë që është temë që duhet me shku në tavolinë të dialogut, ose ushtrinë, kanë mëndu që duhet me qenë pjesë. Mirëpo e vërteta është se Serbia ka qasje armiqësore, në raste të caktuara vendet e botës, një vend që sjellët në mënyrë armiqësore i vendosin sanksione, siç ka vepruar dikush me disa vende, ju e dini. Edhe ne sot e kemi ndërmarrë një veprim të tillë për faktin se ka kërcënime ndaj qytetarëve të pafajshëm të Kosovës, pse djali i tyre ose vajza e tyre është bërë pjesëtar i FSK-së, nga Serbia. Ndryshe thënë kanë me u dramatizu proceset, për plot tema, por Kosova mbetët ajo që është ,nuk ka lëkundje që ne nuk do të ecim përpara si Kosovë”, tha Haradinaj.

Kabineti qeveritar sot miratoi projektligjin për Aderimin e Kosovës në Shkollën Rajonale të Administratës Publike – ReSPA.

Por ky miratim kaloi pas një diskutimi që patën kryeministri Haradinaj, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, me ministrin e Administratës Publike Mahir Yagilar, për shkak se në dokument kishte referencat e Rezolutës 1244.

Hoxhaj: Ministri mos t’i  referohet rezolutës 1244

“E kisha lut ministrin mos me iu referu 1244, sepse mund të përfundojë përsëri njëjtë. Ne jemi anëtarësuar ne ReSPA në vitin 2012 ose 2013, me qëllim që mos të kthehet për herë të tretë në Qeveri, ndoshta është mirë që në vendim ta modifikojmë”, tha Hoxhaj.

Pas kësaj, kryeministri Haradinaj mori vendim që nëse nuk ndryshohet  ajo pjesë, mos të procedohet tutje.

Haradinaj: Dokumenti të dërgohet në Kuvend pa referencat 1244

“Nëse ka formulë që propozimi të dërgohet pa referencat me 1244, e dërgojmë, nëse jo nuk e dërgojmë fare. Asnjë ministër i Republikës së Kosovës pas 17 shkurtit 2008 nuk guxon me iu referu vendit të vet ndryshe nga ajo që e ka shpallë 17 shkurti ,Pavarësia e vendit, nuk guxojmë me u referu në forma të tjera dhe duhet të bëjmë kujdes”, tha Haradinaj

Kabineti qeveritar u pajtua që të bëhen ndryshimet dhe votoi për aderimin e Kosovës në Shkollën Rajonale të Administratës Publike – ReSPA.

Ndër të tjera, qeveria sot vendosi edhe për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në objektet e institucioneve publike, duke votuar kështu propozim-vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor./G.Kadrija/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat