Shoqata e fermerëve mbështet vendimin për taksën e 10 përqindëshit - Bota Sot
Shoqata e fermerëve mbështet vendimin për taksën e 10 përqindëshit

Ekonomi

Shoqata e fermerëve mbështet vendimin për taksën e 10 përqindëshit

Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 12:38
Foto ilustrim

Shoqata e fermerëve taksën e vënë dje ndaj importeve të produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina nga MTI-ja, e konsideron lajm të pritur kahmoti për prodhuesit kosovarë, e sidomos fermerët që janë përballur me një tregti të padrejtë nga këto dy vende.

“Viteve të fundit, për shkak të importit të pakontrolluar të qumështit dhe prodhimeve të tij, si dhe ndikimit të vajit të palmës, anëtarët e shoqatës sonë na kanë njoftuar vazhdimisht për ulje të numrit të krerëve të lopëve, andaj ne e falënderojmë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për këtë vendim si dhe e inkurajojmë për vendime të ngjashme edhe në drejtim të vajit të palmës”, thuhet në komunikatë.

Shoqata e fermerëve shpreson që ky vendim të ketë kohëzgjatje dhe të mos bëhet pre e interesave tregtare sikurse vendimet e mëhershme, ndërsa u bën thirrje institucioneve përgjegjëse për rregullimin dhe kontrollin e tregut që të jenë më vigjilentë dhe të kryejnë punën e vet në mënyrë që të ketë një treg korrekt në vend.

Ndryshe, dje, Qeveria e Kosovës mori vendim për të rritur tarifat me 10 për qind në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ministri i Tregtisë, Endrit Shala, i cili propozoi këtë masë, tha se është praktikë ndërkombëtare. Kjo u përkrah edhe nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj që e cilësoi si kundërpërgjigje ndaj fushatës së egër të Serbisë.

Bashkimi Evropian i ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që urgjentisht të shpjegojnë vendimin e tyre, duke thënë se kjo minon bashkëpunimin rajonal dhe nuk është në përputhje me parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-së dhe Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test