Panxha kërkon heqjen e barrierave tregtare Kosovë-Shqipëri

Ekonomi

Panxha kërkon heqjen e barrierave tregtare Kosovë-Shqipëri

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 13:26
Astrit Panxha

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në bashkëpunim me Klubin e Prodhuesve të Kosovës dhe Forumin e Prodhuesve Kombëtarë Shqiptarë, janë mbledhur sot në Tiranë, për të diskutuar në lidhje me kërkesat e dy qeverive për problematikat e punës së sipërmarrësve.

Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha ka paraqitur një listë të kërkesave ndaj dy qeverive. Kjo listë sipas tij do të lehtësojë tregtinë ndërmjet dy shteteve.

Tutje, ai tha se është mirë që të hiqen barrierat që ekzistojnë në të tregtisë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Panxha: Të hiqen barrierat e të bërit tregti në mes Kosovës dhe Shqipërisë

“Kërkesa jonë  e parë është heqja e pagesës së skenerit në Republikën e Shqipërisë, për të gjithë qarkullimin, import, eksport  Shqipëri-Kosovë.  Heqja e pagesës për terminalet doganore në Republikën e Kosovës për të gjithë qarkullimin tregtar, import-eksport, Shqipëri-Kosovë dhe Kosovë-Shqipëri. Njohja e certifikimeve dhe analizave fito sanitare të të gjitha produkteve që i nënshkruhen këtyre analizave të  certifikatave. Njohja reciproke e produkteve farmaceutike, autorizim për tregtim për agjencitë relevante, për prodhuesit e Kosovës dhe Shqipërisë në të dyja tregjet. Përshpejtimi i procedurave doganore në praktikat e qarkullimit të tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy shteteve. Të rishikohet kufiri për akcizën , aktualisht është 200 mijë hektolitër, në mënyrë që konkurrenca të jetë në favor të sipërmarrësve, në mënyrë që të vendoset dhe të ulët në 50  mijë hektolitër ose të ngritet në 500 mijë hektolitër. Të përjashtohen nga taksat e materialeve plastike, mallrat e importuara sipas kodit 39 që kanë origjinë nga Kosova”, ka thënë Panxha.

Për më tepër Panxha ka kërkuar heqjen e taksës doganore në shumë prej 26 eurove për shkuarje-ardhje, sepse sipas tij në këtë mënyrë paraqitet pengesa për bashkëpunim ekonomik.

Kryetari i Forumit Ekonomik Ndërkombëtar, Agim Fejza ka kërkuar që të jenë të bashkuar në aspektin ekonomik.

Fejza: Këto kërkesa të adresohen edhe ndaj Qeverisë së Maqedonisë

“Unë si kryetar I forumit të prodhuesve ekonomik kam edhe një kërkesë që këto kërkesa të adresohen edhe në Qeverinë e Maqedonisë ku gravitojnë mbi 85 për qind shqiptarë. Dhe jemi në pozitë sot të lakmueshme ku mundet bëjë presion edhe ndaj Qeverisë ë Maqedonisë. Është një kohë qe në bëjmë presion ndaj qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe nuk kemi u bënë një vit, një vit e gjysmë, asnjë përgjigje prej qeverive. Andaj sot kemi një deklaratë shumë të butë, por shpejt do të kemi shumë të fuqishme sepse duhet të shohim çfarë na ndodh neve në rajon dhe mospërfillja ndaj bizneseve”, u shpreh ai, përcjell KosovaPress.

Fejza tha se biznesi e ka ngritur popullin deri këtu, e jo politika.

Kryetari i Shoqatës së Recikluesve, Bardhyl Baltëza,  tha se vendet duhet të jenë të bashkuara ekonomikisht.

Ndërsa, Nikolin Jaka, Kreu i dhomës së Tregtisë dhe Industrisë tha se këto  kërkesa janë të prezantuara me kujdes për një periudhë 2 vjeçare.

Tutje, kryetari i klubit të prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë të përafërta aspak, duke pasur parasysh edhe potencialet që kanë këto vende.

Panxha: Tregtia edhe në Kosovë edhe në Shqipëri është e përqendruar në politikë konsumuese

“Shkëmbimi tregtar në mes dy vendeve është rreth 200 milionë euro në vit, por potenciali është rreth 500 milionë euro. Për fat të keq, politika tregtare edhe në Kosovë edhe në Shqipëri është e fokusuar në politikë konsumuese, ku është ekonomi konsumuese e jo prodhuese”, ka shtuar Panxha.

Mes tjerash ai ka shtuar se është duke u dëmtuar marrëdhënia tregtare në mes Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur faktin se një gjë e tillë do të mund të ndodh vetëm kur të plotësohen kërkesat që kanë si klube prodhuese. Mbledhja e radhës do të mbahet me 26 nëntor, në komunën e Pejës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat