Kosova ende pa atashe ekonomik, diplomacia ekonomike jo e mirëfilltë

Ekonomi

Kosova ende pa atashe ekonomik, diplomacia ekonomike jo e mirëfilltë

Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 09:30
Foto ilustrim

Kosova dhjetë vjet shtet, ende pa diplomaci ekonomike të mirëfilltë, pa atashe ekonomik. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme thonë janë në finalizim e sipër të strategjisë për diplomaci ekonomike, ku reflektohet edhe nevoja për përmirësimin e këtij procesi në këndvështrimin e menaxhimit të burimeve njerëzore diplomatike, por edhe të shtrirjes diplomatike në nivel evropian dhe global.

Ndërsa në Ministri të Tregtisë, thonë se janë duke punuar që prej vitit të ardhshëm kjo ministri të ketë atashe tregtar.

Këshilltari politik i ministrit të MPJ Behgjet Pacolli, Fatmir Haxholli ka thënë se aktualisht Kosova ka diplomatë të ngarkuar për çështje të diplomacisë ekonomike, të cilat janë në të gjitha ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, edhe pse, sipas tij, nuk është forma më e mirë e përfaqësimit të diplomacisë ekonomike.

Haxholli ka thënë se së shpejti do të ndodhë koordinimi ndërinstitucional, ku para së gjithash kërkohet kontributi i MTI-së dhe vendimmarrja në nivel të Qeverisë, sepse, sipas tij, ka edhe implikime buxhetore dhe financiare dërgimi i atasheve ekonomik.

Haxholli: Ka nevojë, nuk është bërë, duhet të bëhet shpejt

“Shërbimi diplomatik i Kosovës, është një shërbim i ri, i cili është në konsolidim e sipër dhe ky proces do të zgjas edhe pak kohë. Tani ka ardhur momenti, që nga ministri aktual(Pacolli) që e ka në top prioritet diplomacinë ekonomike ta ngris këtë çështje në nivel të vendimmarrjes, sepse ka nevojë, nuk është bërë, duhet të bëhet shpejt dhe mendoj që në muajt në vijim, vitin e ardhshëm kjo do të shtrohet si një nevojë e domosdoshme e Kosovës. Por, gjithmonë Ministria e Punëve të Jashtme duhet t’i prijë këtij procesi dhe ta mbajë të koordinuar dhe të disiplinuar, sepse atashetë ekonomik duhet t’i shërbejnë temave dhe trendëve ekonomike. Dhe duhet të kenë profilin që t’i përshtaten kërkesave në vendet ku ka interes, që të thellojnë bashkëpunimin tregtarë dhe ekonomik me Kosovë”, thotë Haxholli. 

Ai ka shtuar se atashe ekonomik, duhet të kenë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Financave.

Ndërsa, në Odën Ekonomike të Kosovës thonë se në disa vende ku janë qendrat e rëndësishme të vendosjes së diplomacisë politike, Kosova duhet ta ketë fokusin edhe në diplomaci ekonomike, me stafin e përgatitur për një qasje adekuate në vendin ku vepron.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi ka thënë se emërimi i atasheve ekonomik luan rol të rëndësishëm në diplomacinë ekonomike për promovimin e vlerave dhe kapaciteteve në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Rukiqi: Roli i diplomacisë ekonomike është më rëndësi për Kosovën

“Mundësia e krijimit të odave ekonomike bilaterale, që në shumë raste luajnë një rol të rëndësishëm në diplomacinë ekonomike, edhe angazhime për me pasur më shumë aktivitete dhe forume ekonomike me këtë vende, edhe në një fazë të caktuar pse jo edhe mundësinë për emërimin e atasheve ekonomik. Ne jemi që një kohë të gjatë në diskutime edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme se si ta kemi një strategji dhe një plan të rregullt dhe përmbajtjesor të diplomacisë ekonomike. Besoj që është koha të kuptohet që një pjesë e mirë e ambasadave, qysh janë edhe një pjesë e mirë e ambasadave të shihet modeli se si funksionojnë ato”, tha Rukiqi.

Ndërsa, zyrtarë të ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kanë thënë se janë duke punuar që prej vitit të ardhshëm, që të ketë atashe tregtar.

“Me ristrukturimin e ri, MTI ka planifikuar me pasur atashe tregtar. Besohet që deri në vitin e ardhshëm me përfunduar ristrukturimi në MTI dhe me pasur kjo ministri atashe tregtar. Kompetenca ka qenë, por nuk është paraparë asnjë herë me buxhetim”, thonë burime të KosovaPress brenda MTI-së.

Zyrtarë të MPJ-së kanë thënë se roli i atasheve ekonomik është të promovojnë prodhimin vendor, si dhe kapacitetin turistik të Kosovës për të shfaqur para botës një imazh të një vendi të konsoliduar ekonomikisht dhe me potencial ekonomik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat