Haradinaj tregon se kur do të hiqet taksa ndaj prodhimeve të Serbisë - Bota Sot
Haradinaj tregon se kur do të hiqet taksa ndaj prodhimeve të Serbisë

Ekonomi

Haradinaj tregon se kur do të hiqet taksa ndaj prodhimeve të Serbisë

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 13:34
Konventa e parë e Prodhuesve të Kosovës

Kryeministri Ramush Haradinaj ka potencuar edhe një herë se taksa e vendosur ndaj prodhimeve serbe do të mbetet në fuqi deri atëherë kur të ndodhë njohja e Kosovës nga Serbia dhe se askush nuk duhet të kalkulojë ndryshe.

Këto komente, kreu i Qeverisë, i ka bërë gjatë Konventës së parë të Prodhuesve të Kosovës, që është organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Ndër të tjera, Haradinaj ka thënë se kjo taksë është vendosur për faktin se prodhimet e Kosovës nuk kanë pasur mundësi të depërtojnë në Serbi dhe Bosnjë.

Po ashtu, ai tha se shumë operatorë të Serbisë operojnë në Kosovë si një treg i hapur, ndërsa asnjë nga Kosova nuk ka mundur të operojë atje dhe pikërisht për këtë, siç theksoi ai, sfida në një mënyrë nuk është e keqe, duke thënë  se ai që ka arritur sot shumë, ka pasur të kaluar jo të lehtë.

Haradinaj ka thënë se kjo masë e marrë nuk është bërë për serbët e Kosovës dhe duhet të ndalet propaganda se është bërë për ta.

Hardinaj: Taksa në fuqi derisa të mos na njohë Serbia

“Le të shërbejë kjo taksë si porosi për të gjithë, po jemi zgjuar, po jemi të vetëdijshëm, po jemi vetvetja dhe është vendim sovran. Pra, është vendim i Kosovës, nuk e kanë marrë aleatët e Kosovës për Kosovën këtë vendim, e ka marrë Kosova. Por, e ka marrë Kosova në momentin kur nuk ka pasur rrugë tjetër, nuk e kemi marrë prej qejfi. Ky vendim, sado që njerëzit po mendojnë që është një kalkulim ditor, mos bëni llogari të tilla kurrkush. Planifikoni që mund të mbetet shumë gjatë, aq gjatë sa nuk do të ndodh njohja e Kosovës nga Serbia, aq gjatë sa nuk do të vendoset një marrëveshje përmbledhëse, që i ka të gjitha edhe njohjen edhe anëtarësimin në OKB edhe borxhet, pensionet, të pagjeturit po edhe heqjen e taksës", tha Haradinaj.

I pari i Qeverisë së Kosovës, ka thënë se tani është koha t’u jepet përparësi produkteve vendore, ndërsa ua tërhoqi vërejtjen prodhuesve të mos manipulojnë me çmime.

Haradinaj: Mos e keqpërdorni, mos i rritni çmimet pa nevojë

“Shfrytëzojeni, e keni para vetës, po ashtu mos e keqpërdorni. Çka nënkupton mos e keqpërdorni, mos i rritni çmimet pa nevojë. Nëse nuk janë mbushur mend deri sot që duhet me iu dhënë përparësi nëpër rafte prodhimeve të vendit besoj që gabojnë. Tani është koha reale e iu dhënë përparësi këtyre produkteve. Qeveria e Serbisë, për fat të keq, edhe tash si në të kaluarën i kanë keqpërdorur serbët e Kosovës. Është mirë të bëjmë kujdes për ta për serbët e Kosovës. Pra, është mirë të jemi të kujdesshëm, t'i furnizojmë ata edhe në veri edhe në jug me të gjitha produktet", tha ai.

Drejtori Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, tha se së bashku me Qeverinë duhet ndërtuar një strategji e përbashkët për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen bizneset. Ai shtroi nevojën e krijimit të një mekanizmi që financon eksportin, pasi kjo do të lehtësonte dukshëm gjendjen.

Panxha: Ne kemi probleme të depërtojmë në tregjet e Kosovës

“Ne kemi probleme të depërtojmë në tregjet e Kosovës dhe këto probleme janë evidente. Duhet të fillojmë nga problemi i blerjeve publike, që 19 vite Qeveri pas Qeverie nuk është dorëzuar asnjëherë sinjali i qartë në të gjitha nivelet institucionale që t’i jepet përkrahje blerjes së produkteve vendore. Sado që ka ekzistuar vullneti i qeveritarëve në nivele të prokurimit gjithmonë kemi pasur probleme, tash dikush mund të thotë se problemi është për shkak se ligji i prokurimit nuk na lejon. Në fakt me MSA-në kemi pasur të drejtë që në formë të përshkallëzuar t’u hapim përparësi produkteve vendore gjatë blerjeve publike. Kemi raste të ndryshme, rasti në shëndetësi kemi dy fabrika për prodhimin e pajisjeve farmaceutike, por paratë e taksapaguesve më shumë shpenzohen duke blerë produkte nga Bosnja dhe Serbia sesa për të blerë produkte të Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka ftuar prodhuesit vendor të rrisin cilësinë, e në të njëjtën kohë ka ftuar qytetarët të konsumojnë prodhimet vendore.

Shala: Kërkoj rritjen e cilësisë së prodhimeve vendore

“Ajo që është me rëndësi është se krahasuar me vitet e kaluara, prodhuesi vendor është në pozitë më të favorshme sesa që ka qenë. E kjo duhet të na gëzojë të gjithëve, për arsye se kur forcohet prodhuesi vendor, forcohet shteti jonë. Gjithashtu, forcimi i prodhuesve vendorë ndikon në rritjen e punësimit dhe përmirësimit të bilancit tregtar, të cilin po punojmë shumë ta forcojmë. MTI është angazhuar shumë që të jetë krah i prodhuesit vendor, duke punuar bashkërisht që Kosovën ta bëjmë një model për zhvillim. Po punojmë shumë që të kemi një ekonomi bazuar te nxitja e investimeve prodhuese dhe te një vizion i ri për mënyrën se si Kosova mund të shfrytëzojë potencialet që ka. Konsumatori ynë, partnerët tanë tregtarë, nuk duhet ta kenë asnjë dilemë sa i përket cilësisë së produkteve tona. Prandaj, unë kërkoj nga ju ta rrisni cilësinë, e cila ka shumë rëndësi sot, por po ashtu bëj apel te qytetarët q ë të konsumojnë produkte vendore”, tha ai.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se përkundër rritjes së vazhdueshme të shpenzimeve dhe përkrahjes publike, Kosova vazhdon të jetë vendi me normat më të ulëta tatimore në rajon.

Hamza: Jemi vendi me normën më të ulët të TVSh-së

“Jemi vendi me normën më të ulët të TVSh-së, ofrojmë bartje të humbjeve për gjashtë vjet dhe kemi normën më të ulët efektive në të tatimin e të hyrave personale, kjo, sepse, mbrojtjen sociale e financojmë nga tatimet, e jo nga kontributet e larta shoqërore siç ndodhë në vendet tjera të rajonit. Ashtu siç jemi zotuar në programin tonë të qeverisë, ne kemi vendosur që asnjë tatim të ri nuk do të ketë për bizneset”, tha ministri Hamza.

Në fund, është paraqitur një raport i realizuar nga Klubi i Prodhuesve, sa i përket CEFTA-së. Këtë raport e ka prezantuar Flamur Breznica, i cili ka thënë se Kosova është i vetmi shtet anëtar në CEFTA që nuk ka bilanc tregtar pozitiv.

Breznica: Kosova, e vetmja anëtare në CEFTA pa bilanc pozitiv tregtar

“Ne shohim se në këto vende që jemi fokusuar, Serbia për shembull ka pasur bilanc pozitiv me të gjitha vendet përpos Moldavisë, Shqipëria ka pasur bilanc pozitiv me Malin e Zi dhe me Kosovën, Bosnja e Hercegovina përveç këtyre dy vendeve ka pasur bilanc pozitiv edhe me Shqipërinë. Ndërsa Kosova është i vetmi anëtar në CEFTA, i cili nuk gëzon bilanc pozitiv tregtar me asnjë prej vendeve anëtare të CEFTA-s. Kjo mund të vijë si pasojë e shumë barrierave tregtare me të cilat ballafaqohen produktet nga Kosova”, tha ai.

Konventa e Prodhuesve të Kosovës do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme./

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...