BQK: Do t’i hetojmë bankat komerciale për rritje të tarifave - Bota Sot
BQK: Do t’i hetojmë bankat komerciale për rritje të tarifave

Ekonomi

BQK: Do t’i hetojmë bankat komerciale për rritje të tarifave

Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 11:02
Pamje nga tryeza e Odës Ekonomike me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës

(E plotësuar) - Pas ngritjes së shqetësimeve nga bizneset dhe qytetarët, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) do t’i hetojë bankat komerciale për rritje të tarifave gjatë muajve të fundit.

Kështu ka thënë guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane lidhur me faktorët kyç të zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe ndikimin e sektorit bankar.

Ai ka thënë se norma mesatare e interesit është 6.6 për qind, që sipas tij, paraqet një përmirësim krahasuar me vitet e kaluara. Sipas të dhënave të fundit, kreditë e lëshuara nga bankat për ndërmarrje janë në shumë prej 1.7 miliard euro, që paraqet një ngritje prej 45 për qind në pesë vitet e fundit.

Mehmeti ka thënë se sivjet janë ulur normat e kredive edhe për sektorin e prodhimit dhe të bujqësisë, gjë që ka ndikuar të kenë rritje këta sektorë për kredimarrje.

Mehmeti: Do t’i hetojmë bankat për tarifat

“Ne kemi një rregullore për shpalosjen e normës efektive të interesit, ku bankat janë të obliguara që t’i arsyetojnë rritjen e tarifave me kosto. Ne, në fillim të këtij viti të gjitha bankat i kemi ekzaminuar sa i përket kësaj çështje dhe mund të them kushtimisht pas disa informatave që i kemi, jemi të njoftuar që kohëve të fundit ka pasur edhe një rritje të tarifave, dhe bankat prapë do të jenë objekt i ekzaminimit. Aty ku bankat vërehet që  nuk janë duke i respektuar Rregulloret për shpalosjen e normës efektive të interesit, gjegjësisht me bërë arsyeshmërinë e rritjes së tarifës me kosto, atëherë ne si BQK, bazuar në këtë Rregullore, jemi të obliguar që të marrim masa dhe të kërkojmë prej bankave që ta respektojnë këtë Rregullore”, deklaroi Mehmeti. 

Gani Sallauka nga “Vllesa-Co” ka thënë se nuk po arrin të marrë shërbime të duhura nga bankat komerciale, madje sipas tij, ka edhe ngritje të tarifave, të cilat po e vështirësojnë punën e tyre.

Sallauka: Kemi bankë e cila tarifon një pagesë me 5 euro

“Shqetësimi ynë është se në kohën e fundit, sistemi bankar ka filluar që me zor është duke na shërbyer. Nuk e di ku është arsyeja. Ne mbahemi përgjegjës për të gjitha veprimet tona karshi Bankës Qendrore, prandaj, ose shkon te rritje e tarifave, në mënyrë që gjithsesi me u larguar apo një formë e arsyes, të cilat nuk qëndrojnë. Nuk e di qysh mund të vazhdojmë kështu. Nuk e  di sa kanë të drejtë, pa asnjë arsye me thënë: “Nuk jam i interesuar t’i shërbej këtij sektori”. Kemi raste bukur të shpeshta. Kemi bankë, e cila tarifën një pagesë me 5 euro, ndërsa te na edhe me 50 cent janë. Për çdo dikë kemi telashe në këtë çështje”, deklaroi Sallauka.

Sallauka ka kërkuar nga guvernatori të kenë qasje drejtpërdrejt si institucion financiar jo bankar në BQK, pasi edhe pse janë të regjistruar në BQK, nuk kanë qasje në sistemin ICS, e cila po i detyron të punojnë me bankat komerciale.

Ndërsa, Arben Ymeraga, biznesmen, tha se klientët kanë nevojë për lehtësim të sistemit të pagesave me anë të kartelave, i cili kërkoi nga BQK si monitorues të kërkoi më shumë llogari nga bankat.

Ymeraga: Klientët tanë kanë probleme me kartela

“Një problem që klientët e mijë e kanë, se kur të vjen koha te pagesat me çfarë kartele ka me paguar blerësi. Edhe e dyta, që ka të bëjë, është se si ato pagesa me u transformuar në kohë reale siç e keni tani, mirëpo me ardhur në sistemin tonë financiar”, ka thënë Ymeraga. 

Drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, duke e vlerësuar si mjaft të rëndësishëm sektorin bankar, ka ngritur si shqetësuese shtimin e  rasteve të vjedhjeve, ku sipas tij, është cenuar siguria e bankave.

Zeka: Plaçkitjet nëpër banka, shqetësuese

“Bankat janë jo vetëm kujdestar i pasurive në ndonjë shtet të caktuar në këtë rast në Kosovë, por në të njëjtën kohë janë edhe burim i financimit dhe është i pashmangshëm roli që bankat kanë pasur në fuqizimin e veprimtarive të ndryshme të biznesit, si prodhimtari, tregti, e shërbime të tjera. Për ne këtu, duke pasur parasysh që ka qenë shqetësim në të kaluarën për bizneset, është inkurajues fakti që norma e interesit të kredive është përgjysmuar. Rastet ku është cenuar siguria e bankave ditëve të fundit, rastet e plaçkitjeve gjë që është me shqetësim shumë të madh. Është inkurajues fakti që guvernatori, tashmë kishte në plan që të takohet me instancat më të larta të sigurisë në vend, që kjo çështje të trajtohet me kujdes më të madh”, tha Zeka.

Edhe biznesmenë të tjerë paraqiten ankesat e tyre për shërbime bankare, lidhur me kartelat dhe vonesat e transaksioneve kombëtare, si dhe për rritje të tarifave.

***

Përfaqësues të institucioneve financiare jo bankare janë të shqetësuar me shërbimet e bankave, veçmas për ngritjen e tarifave.

Kështu u tha në tryezën e Odës Ekonomike me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, lidhur me faktorët kyç të zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe ndikimin e sektorit bankar.

Gani Sallauka nga “Vllesa-Co” ka thënë se nuk po arrin të marrë shërbime të duhura nga bankat.

“Shqetësimi ynë është se sektori bankar me zor është duke na shërbyer. Ose shkon te rritja e tarifave për shtyrje të largimit. Nuk e di si të mund ë vazhdohet kështu”, theksoi Sallauka.

Mehmeti ka thënë se sa i përket rritjes së tarifave, ka një rregullore që bankat duhet ta arsyetojnë rritjen e tarifave.

“Ne si BQK do të shikojmë se bankat komerciale a janë duke vepruar në bazë të rregullores, nëse jo do të ndërmarrim masa ndaj tyre për rritje të tarifave”, ka thënë guvernatori Mehmeti.

Ai ndër të tjera ka thënë se sektori bankar ka zvogëluar normat e interesit për kredi. sipas tij, BQK është në funksion të mbështetjes të sektorit financiar me standarde bashkëkohore.

Drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane Arian Zeka, duke e vlerësuar si mjaft të rëndësishëm sektorin bankar, ka ngritur si shqetësuese shtimin e  rasteve, të vjedhjeve, ku sipas tij, është cenuar siguria e bankave.

“Kjo çështje të trajtohet me kujdes më të madh nga institucionet relevante, që asetet e investitorëve të mos rrezikohen si rezultat i sigurisë”, ka thënë Zeka.

Edhe biznesmenë të tjerë paraqiten ankesat e tyre për shërbime bankare, lidhur me kartelat dhe vonesat e transaksioneve kombëtare, si dhe për rritje të tarifave.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test