Kursani: Fondi mund të keqpërdoret

Ekonomi

Kursani: Fondi mund të keqpërdoret

Më: 19 janar 2013 Në ora: 15:44

Krijimi i një fondi të përbashkët mes Kosovës dhe Serbisë, për veriun, rrezikon që të keqpërdoret pa zhbërjen e strukturave të sigurisë së Serbisë, që veprojnë në veri të Kosovës. Kështu vlerëson për transmetuesin publik, analisti nga Instituti KIPRED, Shpend Kursani.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai Serbisë, Ivica Daçiq, janë dakorduar për krijimin e një fondi të përbashkët për veriun e Kosovës, fond ky, i cili do të menaxhohet nga përfaqësues të BE-së dhe do të mirëmbahet nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë.

Shpend Kursani nga instituti KIPRED, thotë për transmetuesin publik se krijimi i një fondi të tillë pa zhbërjen e strukturave paralele në veri, krijon mundësi për keqpërdorimin e këtij fondi nga strukturat e sigurisë së Serbisë që veprojnë në veri.

“Një fond i tillë do të shkon në të mirë të qytetarëve të Kosovës, mirëpo problemi është se mos largimi i strukturave të Serbisë, do t’i minimizojë efektet që ky fond do t’i kishte në të kundërtën, në qoftë se institucionet e Kosovës do të shtriheshin siç parasheh edhe plani i Ahtisarit”, thotë Kursani.

Krijimi i fondit do të shënojë edhe fillimin e bashkëpunimit të serbëve në veri me institucionet e Kosovës. Por, Kursani thotë se problemi qëndron nëse strukturat e sigurisë së Serbisë në veri, do të largohen, apo do të zyrtarizohen nga institucionet e Kosovës:

“Qytetarët e Kosovës do të afrohen përmes këtij fondi me institucionet e Kosovës, por tani duhet të shohim se a do të ofrohen institucionet e Kosovës me strukturat e Serbisë atje. Do të thotë a do të largohen strukturat e Serbisë, apo institucionet e Kosovës do të zyrtarizojnë ato”.

Ndryshe, sipas mediave në Kosovës, gjatë bisedimeve në Bruksel, kryeministri, Hashim Thaçi ka insistuar që ky fond të mbulojë gjithë regjionin e Mitrovicës, që përfshinë edhe Vushtrrinë, Skënderajn dhe pjesën jugore të Mitrovicës.

Mësohet se shuma e këtij fondi do të jetë 16 milionë euro dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do të kenë të drejtë që të bëjnë kërkesa për investimet më me prioritet në atë pjesë të Kosovës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat