Aksidentet në Kosovë morën jetën e 50 personave, mbi 25 mijë u lënduan - Bota Sot
Aksidentet në Kosovë morën jetën e 50 personave, mbi 25 mijë u lënduan

Kosova

Aksidentet në Kosovë morën jetën e 50 personave, mbi 25 mijë u lënduan

Më: 27 korrik 2016 Në ora: 12:36
Ilustrim

Numri i personave të cilët po humbin jetë në komunikacion rrugor, po shënon rritje. As thirrjet e shtuara së fundmi nga organet e sigurisë në vend, nuk po u hyjnë në vesh vozitësve të pakujdesshëm dhe sidomos të pasionuarve pas shpejtësisë së tejkaluar edhe përbrenda qyteteve.

Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, nga 46 aksidente kanë humbur jetën 50 persona, ndërsa numri i aksidenteve me lëndime është 2 mijë e 781.

Numër rekord i pacientëve nga aksidentet, për gjashtë mujorin e parë janar-qershor 2016, është shënuar edhe në Kliniken Emergjente të QKUK-së, ku kanë kërkuar ndihmë mjekësore mbi 25 mijë të lënduar.

Nisur nga ky rrezik i jetës së qytetarëve, në mënyrë që të parandalojnë aksidentet në komunikacion, Policia e Kosovës në javët e fundit nëpër rrugë ka shtuar numrin e policëve me vetura civile dhe pa shenja policie.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, për KosovaPress tha se prezenca e zyrtarëve të policisë me vetura civile nëpër rrugët e Kosovës po bëhet me qëllimin të ngritjes së nivelit të sigurisë në komunikacion, si dhe parandalimit të aksidenteve në komunikacion.

Kelani: Zyrtarët policor nëpër rrugë, me vetura civile

“Kemi hartuar plane operative që të ndikojmë në një siguri më të madhe në trafik, duke ndërmarr masa policore shtesë me shtim të prezencës policore, duke aktivizuar plane të veçanta që kanë të bëjnë me  automjete zyrtare por që janë me targa civile dhe pa shenja policore. Kjo po bëhet në mënyrë që të vëzhgohet komunikacioni rrugor më mirë nga zyrtarët policor, në mënyrë që të reagohet në ato raste ku ata hasin në kundërvajtës. Gjithë kjo po bëhet me një qëllim të ngritjes së një niveli të sigurisë në komunikacionin rrugor dhe parandalimit  të aksidenteve në përgjithësi’, tha Kelani.

Ai ka treguar se numri total i aksidenteve ka ngritje prej 12.31 përqind.

Kelani: 50 persona që humbën jetën në 46 aksidente

“Nëse i referohemi numrit total të aksidenteve është një ngritje prej 12.31 përqind apo thënë konkret nga janari deri në qershor të këtij viti janë evidentuar gjithsej 8 mijë e 285 aksidente, flas në përgjithësi. Ndërsa, nëse i veçojmë aksidente me pasoja fatale kanë qenë 46, ku në këto 46 aksidente kanë humbur jetën 50 persona. Pra, dy më shumë  se sa periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Nëse i referohemi aksidenteve me lëndime janë 2 mijë 781 aksidentet, aksidentet me dëme 5 mijë e 458 aksidente”, tha Kelani.

Sipas analizave të policisë ditët në të cilat aksidentet janë më të shpeshta janë dita e hënë dhe dita e premte. Kurse koha është ajo nga ora 16:00 deri në ora 18:00 të pasdites.

Se patrullimi nëpër rrugët e Kosovës me vetura civile është më i lehtë për identifikimin e kundërvajtësve në trafik e thotë edhe polici Nexhmi Quqalla.

Quqalla: Me vetura civile më lehtë të identifikohen kundërvajtësit e trafikut

“Momentin kur nuk vërehet vetura zyrtare me shenja... është më lehtë për ne t’i identifikojmë kundërvajtësit e sidomos ata kundërvajtës që nuk kanë rripin e sigurisë, përdorin telefonin mobil gjatë ngasjes së automjetit, e në të shumtën e rasteve kemi edhe injorimin e rregullave në semaforë”, tha Quqalla. 

Në Emergjencën e QKUK-së numri i personave që kanë kërkuar ndihmë si pasojë e aksidenteve në rrugë është rritur dhe kjo është mjaftë shqetësuese edhe për vetë personelin e Klinikës. Drejtori i Emergjencës në QKUK, Basri Lenjani, tha se numri i të lënduarve nga aksidentet në këtë klinik ka shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa numri i të vdekurve në trafik ka shënuar rënie.

Lenjani: Numër rekord i të lënduarve në aksident, për 6  muaj 25 mijë të lënduar

“Klinika Emergjente shënon numrin rekord për gjashtë mujorin e parë janar-qershor 2016, gjithsej shërbime emergjente mjekësore kanë kërkuar 25 mijë e 495 për periudhën gjashtë mujore, prej tyre kemi 2 mijë e 389 të lënduar dhe dhjetë të vdekur për këtë periudhë... Ndërsa kemi një statistikë pak me numër më të zvogëluar të numrit të vdekjeve si pasojë e aksidenteve në komunikacion të cilat kanë ardhur në Klinikën Emergjente. Për vitin 2015 kemi pas 12 të vdekur, ndërsa për vitin 2016 kemi pasur 10 raste të cilat kanë ngjarë si pasoj e fatalitetit në aksident në komunikacion”, tha Lenjani.  

Shqetësues është edhe fakti që tregon për moshat e përfshira në aksidentet në komunikacion në këtë periudhë të vitit. Të rinjtë nga mosha 25 deri në 30 vjeç  janë personat që kanë pësuar ose kanë shkaktuar aksidentet në rrugë të ndryshme në vend.

Me një raport të tillë, aksidentet rrugore po janë mjaftë shqetësuese edhe për vetë qytetarët. Ata kanë thënë se janë të dhimbshme gjithë këto lajme me pasoja fatale nga aksidentet rrugorë. Secili nga ta thonë se prapë se prapë fajet i ka së pari faktori njeri dhe pakujdesia e neglizhenca që tregon ndaj përparësive në komunikacion.

Isak Maxhuni tha se veç se janë shqetësuese ato të cilat po dëgjon për aksidentet në trafik, këto aksidentet po janë edhe trauma për vozitësit e tjerë.

Maxhuni: Faktori njeri nuk ka kujdes në vozitje

“Sigurisht faktori njeri është se nuk kanë kujdes, nuk iu përshtaten kushteve, shenjave të komunikacionit, në rreth rrotull kanë probleme...Me të vërtetë po na shqetësojnë këto lajme, se faktori njeri është mbi të gjitha, dhe  kur po shohim këto ndeshjet me fatalitet, apo ndeshje shumë të mëdha, me të vërtetë po na brengosin, nuk po e ndien vetën mirë...këto janë trauma”, tha Maxhuni.

E qytetarja Feride Haziraj, po fajëson bashkatdhetarët. Ajo thotë se ata nuk po i respektojnë rregullat e komunikacionit në Kosovë, ashtu si me kujdes i respektojnë në shtetet prej nga vijnë.

Haziraj: Aksidentet shqetësuese, bashkatdhetarët nuk po kanë kujdes

“Shumë shqetësuese për neve, mirëpo këta të ‘jashtmit’ nuk kanë kujdes fare. Atje kanë kujdes shumë po këtu lirohen si të vijnë”, tha Haziraj.

Edhe eksperti i komunikacionit, Muhamed Krasniqi tha se ditët e fundit ka rritje të konsiderueshme të numrit të aksidenteve. Por ai thekson se me gjendjen e krijuar në komunikacion do të duhet që Këshilli i Komunikacionit Rrugor apo Qeveria e Kosovës të thërrasin takim urgjent, ku nga ky takim do të duhej të vendosen veprime dhe masa konkrete.

“Trendi të rritjes së aksidenteve të çdoditshme në rrugë tashmë përbën një gjendje shqetësuese dhe alarmante, e cila kërkon zgjidhje për të parandaluar aksidentet e trafikut dhe për të kthyer sigurinë në rrugë. Duke parë gjendjen e krijuar, do të duhej që Këshilli i komunikacionit rrugor ose Qeveria e vendit të thërrasin takim urgjent të zgjeruar për të analizuar gjendjen e sigurisë në rrugët e vendit. Nga ky takim do të duhej të vendosen veprimet dhe masat konkrete duke caktuar institucionet që do të merreshin me implementimin e këtyre masave”, tha Krasniqi.

Ndërkohë, thirrje institucioneve përkatëse për të ndikuar në parandalimin e aksidenteve rrugore, u ka bërë edhe vetë Policia e Kosovës. Ata thonë se bashkëpunimi Polici-institucione përkatëse dhe vozitës, do të sillte me patjetër rezultate, duke e ulur edhe numrin e aksidenteve dhe rritur vetëdijesimin e vozitësve në respektimin e rregullave të komunikacionit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...