Macronit i ka shkuar koha si lojtar i vetëm - Bota Sot
Macronit i ka shkuar koha si lojtar i vetëm

Evropë

Macronit i ka shkuar koha si lojtar i vetëm

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 09:59
Presidenti francez Emmanuel Macron

Në vitin e ri Emmanuel Macron do të duhet të japë përgjigje për pyetjet e kritikëve. Të tillë ai ka shumë. Nuk janë vetëm Jelekverdhët që bëjnë presion, por edhe ekonomia. Të paktën tani Macronit i duhet partia e tij.

Më shumë ndjeshmëri – këtë presidenti e mori vesh. Prandaj ai ftoi gjithë kryetarët e bashkive të Francës të mblidheshin në Pallatin Elysée. Për herë të parë. Sepse herë të tjera politikanët lokalë e kanë takuar presidentin francez maksimumi në ambientet e thjeshta të panairit, Porte de Versailles. Kati i parë i Pallatit Elysée është zakonisht i rezervuar për diplomatët. Megjithë këtë xhest pajtimi, Macron nuk e ka kapërcyer momentin kritik. Ai vazhdon të ndodhet nën presion të madh.

Paqja sociale në rrezik

Nuk ka rëndësi nëse presidenti francez do të arrijë të qetësojë Lëvizjen e Jelekverdhëve për ditët e festave, sepse ka kohë që protesat masive të rrugës janë kthyer në një forcë politike reale në të gjithë vendin. "Ne kemi të bëjmë në këtë rast me një opozitë jashtë parlamentare", thotë për lëvizjen eksperti i politikës, Jérôme Sainte-Marie nga Instituti PollingVox. Macron duhet të reagojë politikisht në vitin e ri, pëveç lëshimeve për njerëzit me të ardhura të ulta, që jepen në fund të vitit si paketa emergjence. Jelekverdhët, thotë Sainte-Marie, përbëjnë një moment kthese në presidencën e Macronit.

Kështu që viti 2019 do të jetë vit prove për presidentin e ri. Ai duhet t'i tregojë francezëve, se ka në dorë postin më të lartë të shtetit. Për këtë duhet të dëshmojë se ka aftësi mjeshtërore dhe të prezantojë nga e para politikën e tij, të cilën shumë vetë e quajnë autoritare dhe elitare. Të pushojë kryeministrin dhe të bëjë të ditur se do të ketë një fillim të ri? Kjo dredhi politike, e ofruar nga kushtetuta franceze dhe e përdorur me virtuozitet nga gjithë pasardhësit e tij, nuk do të mjaftojë në rastin e Macronit, vlerësojnë njerëz që merren me politikë. Macron është duke paguar tani për faktin që vetëm 24 përqind e francezëve e kanë zgjedhur me bindje president, thonë konservatorët e politikës së Parisit.

Nga Macron, që nuk vjen nga politika, priten shumë gjëra. "Ai duhet të zgjerojë shumicën politike, nëse do që të shpëtojë mandatin”, thotë Sainte-Marie në bisedë me Deutsche Wellen. Deri tani protestat kanë dashur të përfshijnë edhe Macronin, por ato nuk ia kanë hedhur dot grepin presidentit. Deri tani ai ka qenë mbështetur nga një shumicë në Dhomën e deputetëve.

Partia e Macronit është kthyer në bela?

Por ndërkohë po rriten edhe zërat nga radhët e veta që kërkojnë ndryshime në dialog me qytetarët, politikën sociale, në prezantimin e tij. "Macron duhet të ndalojë së foluri si shefi i personelit të një kombi që sapo është krijuar", kritikon deputeti Patrick Vignal nga partia La République en Marche (LRM). Përveç kritikave në sjelljen e tij që shihet si arrogante, politikanët e LRM kërkojnë edhe një politikë të re sociale, që t'i përshtatet më mirë qytetarëve. Si përshembull njerëzit me të ardhura të pakta nuk duhet të paguajnë për shërbimet sociale. Shumë vetë në partinë e tij flasin edhe për ringjalljen e taksave mbi të pasurit, që Macron e hoqi. Dhuratat që bën Macroni me paratë shqetësojnë shumë ekonomë. Vitin e ardhshëm mungojnë në buxhet 4 miliardë euro prej heqjes së taksës mbi karburante. Qëllimi i qeverisë, për ta mbajtur deficitin e lejuar nga 3 përqind në 2,8 përqind është i kohës së shkuar.

Që jelekverdhët duan ta largojnë presidentin nga posti, është e paimagjinushme nga vëzhguesit politikë. Asnjë kushtetutë tjetër nuk e mbron presidentin e vendit aq shumë sa kushtetuta franceze. Viti tjetër do të sjellë sfidë të dyfishtë për presidentin, dedikim për francezët në përgjithësi, por edhe për ata në partinë e vetë. Nëse mbështetja në parti thyhet atëherë situata mund të bëhet e pakëndshme. Si shumë të tjerë edhe Jérôme Sainte-Marie mendon, se Macron nuk do e ndryshojë krejtësisht stilin e tij liberal dhe autoritar. Edhe në nivel europian ai do të duhet të paguajë në zgjedhjet parlamentare për mungesën e besueshmërisë si reformist.

"Nëse presioni në rrugë shtohet dhe pakënaqësia në parti rritet, atëherë nuk përjashtohet mundësia që të shkohet në votëbesim", thotë Sainte-Marie. Atëherë presidenti duhet të kërkojë një kryeministër nga opozita politik, të ashtuquajturën Co-Habitation. Një qeveri që në Francë urrehet. Dhe Macroni vetë nuk do të kishte pushtetin e mjaftueshëm për të dhënë përgjigjen e duhur Jelekverdhëve./DW

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat