Arrestohet kreu i 'jelekë-verdhëve'

Evropë

Arrestohet kreu i 'jelekë-verdhëve'

Më: 4 janar 2019 Në ora: 22:26
Eric Drouet

Një prej udhëheqësve kryesorë të protestuesve “jelekverdhë” është vendosur në pranga nga policia e Francës. Eric Drouet po përballet momentalisht me një proces gjyqësor për mbajtjen e një arme të kategorisë D gjatë një proteste të mëparshme.

Një prej udhëheqësve kryesorë të protestuesve “jelekverdhë” është vendosur në pranga, nën akuzën e organizimit të një tubimi të paautorizuar.

Sipas mediave franceze, bëhet fjalë për Eric Drouet. Ai u ndalua mbrëmjen e të së mërkurës, teksa i drejtohej “Champs Elysees”, ku raportohet se po e priste një grup demonstruesish.

Demonstruesit thanë për policinë se ata ishin mbledhur vetëm për të ndezur qirinj për personat e plagosur në protesta apo të vrarë në aksidentet automobilistike gjatë trazirave 6-javore, që nisën në muajin nëntor si revoltë kundër taksës së karburantit. Por pavarësisht kësaj dëshmie, Drouet po përballet momentalisht me një proces gjyqësor për mbajtjen e një arme të kategorisë D, pasi iu gjend një shkop druri. Avokati i Drouet e cilësoi arrestimin e tij  “të pajustifikuar dhe krejtësisht arbitrar”.

Po sipas mediave franceze, Drouet tanimë do të shndërrohet në një lloj martiri dhe ka për të sjellë forcimin e qëndresës së tubuesve.

Protestuesit, të cilët e kanë marrë emrin nga jelekët e tyre fosforeshentë, kanë zhvilluar që prej 17 nëntorit rregullisht demonstrata në kuadër të taksës së karburantit që më pas u shndërrua në lëvizje kundër presidentit Emmanuel Macron dhe politikave të tij, që konsiderohen si favorizuese për të pasurit.

Gjatë protestave të tyre të zhvilluara, 30 persona janë plagosur dhe 101 janë arrestuar.

Zyrtarët vendas duket se kanë marrë një qëndrim më të ashpër në përpjekjet për të shuar demonstratat, por arrestimi i Eric Drouet ka bërë që qeveria franceze të akuzohet për provokim të situatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat