Gjendet kutia e zezë e aeroplanit të rrëzuar të kompanisë “Lion Air”

Evropë

Gjendet kutia e zezë e aeroplanit të rrëzuar të kompanisë “Lion Air”

Më: 14 janar 2019 Në ora: 10:23
Kutia e zezë e aeroplanit të rrëzuar të kompanisë “Lion Air”

Një zyrtar indonezian ka njoftuar se kutia e zezë e aeroplanit të rrëzuar në tetor të vitit të kaluar është gjetur. Nga rrëzimi i këtij aeroplani kishin vdekur 189 persona. Zhytësit kanë përdorur pajisje të veçanta për ta gjetur kutinë, e cila ndodhej tetë metra nën shtresën tokësore të detit.

Aeroplani ishte fundosur në thellësi prej 30 metrash nën ujë. Zëvendësministri për aktivitete detare ka thënë se mbetjet e aeroplanit kanë qenë të mbuluara me shtresën ranore të detit. Aeroplani i tipit “Boeing 737”, i cili ishte në pronësi të kompanisë “Lion Air”, ishte rrëzuar disa minuta pas ngritjes në ajër nga Jakarta më 29 tetor të vitit të kaluar. Në këtë aksident nuk ka pasur asnjë të mbijetuar.

Kutia e zezë, e cila regjistron bisedat mes pilotëve, ndihmësve të tyre dhe kontrollit të trafikut ajror, besohet se do të ofrojë të dhëna të rëndësishme për shkakun e rrëzimit të aeroplanit. Një analist i aviacionit indonezian ka thënë se këto të dhëna do t’ua mundësojnë hetuesve ta kuptojë se çfarë kanë bërë pilotët para rrëzimit të aeroplanit.

Pilotët kishin bërë kërkesë të kthehen në aeroport vetëm dy minuta pasi aeroplani ishte ngritur në qiell, ndërsa më pas ishte humbur kontakti me kontrollin e trafikut ajror. Deri më tash janë identifikuar mbetjet e vetëm 125 viktimave, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat