BREXIT – Britanisë po i mbaron koha

Evropë

BREXIT – Britanisë po i mbaron koha

Më: 16 janar 2019 Në ora: 09:50
Ilustrim

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar se Britanisë po i mbaron koha pasi politikanët në Mbretërinë e Bashkuar refuzuan ashpër marrëveshjen për Brexit të Kryeministres Theresa May, duke thelluar krizën më të keqe politike në këtë vend në dekada.

Pas votimit vendimtar të martën në shtëpinë e ulët të parlamentit të Britanisë, zyrtarët e frustruar në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera evropiane këmbëngulën se marrëveshja e daljes nga BE-ja, të cilën e nënshkruan me qeverinë e May në fund të 2018-ës,  mbetet mënyra më e mirë për të shmangur një “Brexit të vështirë” më 29 mars.

“Ndjejmë keqardhje për rezultatin e votimit dhe kërkojmë që qeveria britanike të qartësojë synimet e saj sa i përket hapave të saj të ardhshëm sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë një zëdhënës i Donald Tusk, President i Këshillit Evropian.

Përmes Twitter, Tusk gjithashtu sugjeroi se zgjidhja e vetme ishte që Britania të qëndronte në BE pas këtij votimi, ku ligjvënësit kundërshtuan marrëveshjen e May me një diferencë dërrmuese prej 432 me 202 – humbja më e keqe në historinë modern te Mbretërisë së Bashkuar.

“Nëse një marrëveshje është e pamundur dhe askush nuk dëshiron marrëveshje, atëherë kush më së fundi do të ketë guximin të thotë se cila është zgjidhja e vetme pozitive?” shkroi Tusk.

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker tha se i vjen keq për rezultatin e votimit, por paralajmëroi se “Britanisë po i mbaron koha”.

Juncker shtoi se gjasat që Britania të linte bllokun pa një marrëveshje ishin rritur, duke iu referuar ‘një tërheqjeje të çrregullt’ dhe se Komisioni Evropian do të vazhdojë përgatitjet për dalje pa marrëveshje.

Ndërkohë, Michel Barnier, kryenegociatori i BE-se, tha se blloku do të “mbetej i bashkuar” nëse May do të bënte lëshime që do ta ndihmonin atë ta ‘shesë’ marrëveshjen për deputetët dhe votuesit skeptikë britanikë.

Image

 

S’ka negociata të reja

Udhëheqësit e BE-së në mënyrë të vazhdueshme kanë thënë se nuk mund të ketë ri-negocim, duke këmbëngulur se marrëveshja që ata kishin nënshkruar me May ishte zgjidhja më e mirë e mundshme, ngase përmes saj ofrohet një periudhë tranzicioni për bizneset që të përshtaten.

Kancelari austriak Sebastian Kurz shkroi: “Më vjen keq për rezultatin e votimit të Brexit Dhomën e Përfaqësuesve të Parlamentit të Britanisë, por në asnjë rast nuk do të ketë ri-negocim të marrëveshjes së tërheqjes”.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Britania do të ishte humbësi më i madh në qoftë se largohet  nga BE-ja pa marrëveshje.

Qeveria e Irlandës – i vetmi shtet anëtarë i BE-se që kufizohet me Mbretërinë e Bashkuar – tha se tani do të intensifikojë përgatitjet për t’u përballur me një “Brexit të çrregullt”, dhe i kërkoi Britanisë të vendose se si do të vazhdojë tutje.

Ndërkohë, kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez, paralajmëroi se dalja e papritur nga BE-ja do të ishte “katastrofike”.

Ministri gjerman i Financave dhe Zëvendëskancelari, Olaf Scholz, e quajti një “ditë të hidhur për Evropën”.

“Ne jemi të përgatitur mirë – por një Brexit i vështirë do të ishte zgjedhja më pak tërheqëse, për BE-në dhe Britaninë e Madhe”, tha ai.

Image

Shteti i ndarë

Nëse Londra nuk do të ratifikojë një marrëveshje përpara 29 marsit, do të largohet me një borxh prej miliarda eurosh për obligimet ndaj BE-së dhe pa ndonjë marrëveshje tranzicioni për të mbajtur rrjedhën e tregtisë, për të cilën kritikët thonë se do të jetë ekonomikisht katastrofike.

Por, konservatorët e May janë të ndarë: të ashprit që duan një ndarje të papritur dhe pro-evropianët që duan të përsërisin referendumin e 2016-ës, ku 52 përqind e votuesve mbështetën daljen e Britanisë nga BE-ja.

Ndërkohë partia kryesore opozitare Partia e Punës, gjithashtu e ndarë, po mundohet ta shfrytëzojë krizën dhe të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Qeveria e May tani do të përballet me një mocion mosbesimi.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat