Donald Tusk: Edhe Evropa duhet t’i mbështesë forcat demokratike në Venezuelë

Evropë

Donald Tusk: Edhe Evropa duhet t’i mbështesë forcat demokratike në Venezuelë

Më: 24 janar 2019 Në ora: 00:33
Donald Tusk

Pas ngjarjeve dramatike në Venezuelë, ku kreu i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Juan Guaido, në protestat antiqeveritare të organizuara në vend shpalli veten si “president të përkohshëm të vendit”, ka reaguar edhe Presidenti i Këshillit Evropian.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, pak më herët konfirmoi se ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi Trump pranoi liderin opozitar si “president të përkohshëm” dhe ka dhënë urdhër që të largohen gjithë diplomatët amerikanë nga Venezuela.

Megjithatë, siç po shihet, kjo betejë diplomatike është shumë me e madhe, sepse liderin opozitar tanimë janë duke e njohur të gjitha shtetet me të cilat ka partneritet SHBA-ja.

Edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i ka dhënë të drejtë liderit opozitar në Venezuelë, duke kërkuar që e gjithë Evropa t’i mbështes forcat demokratike atje.

“Shpresoj që e gjitha Evropa t’i mbështesë forcat demokratike në Venezuelë. Për dallim nga Maduro, Asambleja Kombëtare dhe Juan Guaido kanë mandat demokratik nga qytetarët e Venezuelës”, ka thënë Tusk.

Kreu i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Juan Guaido, në protestat antiqeveritare të organizuara në vend, para protestuesve ka thënë se “për t’i dhënë fund uzurpimit të qeverisë, për të formuar qeverinë kalimtare dhe për të organizuar zgjedhje të lira, betohem të marrë përsipër detyrën e presidentit të Venezuelës”.

“A do të lodhemi? Jo. Do të rezistojmë derisa të arrijmë demokracinë, lirinë, ujin, gazin natyror, derisa buka do të arrijë në tavolinën e çdo venezuelasi”, ka thënë Guaido.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat