Mbretëresha kërkon kompromis për BREXIT-in

Evropë

Mbretëresha kërkon kompromis për BREXIT-in

Më: 25 janar 2019 Në ora: 15:35
Elisabeta

Ndërkohë që vazhdon ethshëm debati në politikën britanike për të ardhmen e Marrëveshjes së Tërheqjes nga BE-ja, Mbretëresha e Anglisë, Elisabeta e Dytë, ka vlerësuar respektimin e pikëpamjeve të ndryshme për çështjen e BREXIT-it dhe ka kërkuar nga deputetët që të gjejnë gjuhën e përbashkët në prag të votimit të dytë të planit të kryeministres për divorcin e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Mbretëresha politikisht është neutrale në rolin e saj si kryetare e Shtetit, por ndërhyrja e saj e cilësuar si elegante është e dyta brenda disa muajsh, kur është shprehur për nevojën për tolerancë.

Pa dyshim kjo ndërhyrje e fundit përbën dërgim mesazhi në debatin aktual politik në Britani, kur të martën e ardhshme, më 29 janar, do të votohet Plani B i kryeministres për BREXIT-in.

Mbretëresha u tërhoq në fushatën për referendumin në vitin 2016, kur tabloidi “The Sun” njoftoi se një herë ajo i kishte thënë ish-zv/kryeministrit të asaj kohe, Nick Clegg se ajo besonte se Bashkimi Evropian po ecte në drejtimin e gabuar. Por, Organizata britanike për Standardet e Shtypit konkludoi se titulli i këtij tabloidi (“Mbretëresha mbështet BREXIT-in”) ishte jashtëzakonisht keqinformues.

Edhe këto ditë ka pasur sugjerime që Mbretëreshës t’i kërkohet që të luajë rolin e saj në kushtet e ngërçit të krijuar për BREXIT-in.

Madje, një nga politikanët më aktivë pro-BREXIT, konservatori Jacob Rees-Mog, kërkoi që qeveria të pezullonte Parlamentin. Sipas tij, kryeministrja do duhej t’i kërkonte Mbretëreshës që ajo me kompetencat e saj të urdhërojë përfundimin e punimeve të Parlamentit për të penguar çdo ligj që do të frenonte BREXIT-in e që Britania të dilte pa marrëveshje më 29 mars e që procesi i BREXIT-it të mos shtyhej për më vonë, siç flitet se mbetet opsioni më i mundshëm nëse hidhet sërish poshtë Plani B i Theresa May të martën e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat