E dobësuar, por e vendosur, May përballet me deputetët

Evropë

E dobësuar, por e vendosur, May përballet me deputetët

Më: 29 janar 2019 Në ora: 13:46
Theresa May

E dobësuar politikisht, por e vendosur për të përmbushur me sukses largimin e vendit të saj nga Bashkimi Europian, kryeministrja britanike, Theresa May përballet sot me një betejë parlamentare për Brexit.

Që prej marrjes së detyrës në korrik të 2016, liderja konservatore u trondit nga një krizë në tjetrën për shkak të kësaj çështjeje, që është shndërruar në kryefjalën e debateve dhe diskutimeve në Britaninë e Madhe megjithëse ende nuk është shfaqur në horizont asnjë zgjidhje.

Në pranverën e 2017, May, 62 vjeçe, humbi shumicën parlamentare pas zgjedhjeve legjislative që ajo i kërkoi për të forcuar autoritetin e saj gjatë negociatave.

Më pas, disa ministra të rëndësishëm dhanë dorëheqjen pas kritikave në lidhje me strategjinë e saj mbi Brexit.

Gjatë dy muajve të fundit, marrëveshja e Brexit e negociuar me vështirësi me Brukselin, u kundërshtua në masë nga deputetët britanike, ndërsa ajo u përball me dy mocione mosbesimi, një me iniciativë të partisë së saj dhe tjetra nga opozita laburiste.

Në çdo herë, ajo është ringritur dhe është përballur me guxim, duke theksuar si prioritet që është detyra e saj për të nxjerrë vendin nga BE-ja, siç e vendosën zgjedhësit.

Për mbështetësit e saj, kjo dëshmon karakterin e saj të vendosur dhe kurajoz.

Për kundërshtarët e saj ajo është kokëfortë dhe e paaftë për të ndryshuar qëndrim edhe kur mbetet pa një rrugëdalje.

Ardhja në pushtet e May, një ditë pas referendumit për Brexit, shërbeu si një siguri për britanikët pas një fushate përçarëse të referendumit për Brexit. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat