May në kërkim të pragmatizmit për Brexit

Evropë

May në kërkim të pragmatizmit për Brexit

Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 16:36
Theresa May

Kryeministrja britanike, Theresa May deklaroi se, kur të shkonte sërish në Bruksel për bisedime, do të kërkonte një marrëveshje pragmatike për Brexit, marrëveshje që do të rezultonte fituese si ndaj Bashkimit Europian ashtu edhe ndaj deputetëve të parlamentit britanik.

Në një shkrim për gazetën britanike ”Sunday Telegraph”, May i kërkon liderit të laburistëve, Jeremy Corbyn që të bjerë dakord me të që çështja e kufirit me Irlandën, ashtu siç ishte parashikuar nga Marrëveshja për Tërheqjen (Withdrawal Agreement) duhej të ndryshonte.

May shtoi se po dëgjonte me shumë kujdes të gjitha zërat e politikës, të sindikatave dhe të biznesit për një kompromis të realizueshëm për çështjen Brexit.

“Kjo është arsyeja që kur të kthehem në Bruksel, unë do të luftoj për Britaninë e Madhe dhe për Irlandën e Veriut, unë do të kem një mandat të ri, ide të reja dhe një vendosmëri të përtërirë për të rënë dakord për një zgjidhje pragmatike, ndërkohë që do të siguroj se çështja e kufirit mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës nuk është kaq e vështirë”, theksoi ajo.

“Kjo është ajo që parlamenti më instruktoi të martën e kaluar”, siguroi May.

Të martën e kaluar, Dhoma e Komuneve votoi që May të rinegociojë të ashtuquajturin “backstop”, pjesë e marrëveshjes së tërheqjes që garanton një kufi të hapur irlandez pas Brexit.

Por, BE e ka refuzuar këtë gjë.

Pak minuta pas votës së Dhomës së Komuneve, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk tha se marrëveshja e tërheqjes, për fshirë ”backstop”-in mbetej rruga më e mirë për të siguruar një tërheqje të rregullt të Londrës nga BE.

Për negociatat e reja me BE-në, May do të raportojë sërish përpara parlamentit të saj më 13 shkurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat