Moldavia në zgjedhje - Drejt perëndimit apo drejt lindjese

Evropë

Moldavia në zgjedhje - Drejt perëndimit apo drejt lindjese

Më: 24 shkurt 2019 Në ora: 16:07
Moldavi

Të dielën (24.02) zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Moldavi. Në fushatën e nxehtë zgjedhore nuk munguan fajësimet dhe kërcënimet e ndërsjellta. Si është atmosfera në kryeqytet?

Ditët e fundit të fushatës zgjedhore në Moldavi të kujtojnë një film të keq për mafian. Të dy udhëheqësit proeuropianë të opozitës, Maia Sandu dhe Andrei Nastase nga aleanca ACUM (TANI), deklaruan para shtypit se janë helmuar me zhivë. Një stacion televiziv nga orbita e kryetarit socialist të shtetit, të afërt me Rusinë, Igor Dodon publikoi ditën e premte një letër të shkruar me dorë për një gjoja plan për vrasjen e presidentit. Pothuaj njëkohësisht oligarku Vlad Plahotuniuc, që është "burri i fortë" i Kishinaut, shef i demokratëve në pushtet, u akuzua nga Moska se ka qenë pjesë e një transfere ilegale të 500 milionë eurove nga Rusia.

Dora e Rusisë?

Image
Maia Sandu thotë se e kanë helmuar me zhivë.

Ministri i Brendshëm rus e habiti ditën e premte publikun moldav me një njoftim për hetime kundër Vlad Plahotniuc-it dhe partnerit të tij të biznesit, me të cilin ai ka nxjerrë nga Rusia me biznes ilegal valutash 37 miliardë rubla (rreth 500 milionë euro). Plahotniuc dhe Partia e tij demokratike (PDM) supozojnë se pas këtij aksioni është një përpjekje e re në fushatën elektorale për të forcuar socialistët e presidentit në post, Dodon.

Sipas shtypit moldav, hetimet kanë lidhje me një skandal pastrimi parash, që njihet me emrin "Laundromati rus". Të mërkurën e fundit, hetues gjermanë patën konfiskuar në Gjermani pasuri të patundshme dhe para me vlerë 40 milionë euro. Me anë të veprimtarive të pastrimit të parave pesë vjet më parë duhet të jenë transferuar 20 miliardë euro nga Rusia, nëpërmjet bankave në Letoni dhe Moldavi, jashtë vendit.

Ky është procesi i dytë i gjykimit kundër Plahotniuc-it që zhvillohet në Rusi. Në fund të vitit të kaluar autoritetet ruse e patën akuzuar për pjesëmarrje në një vrasje të dyfishtë.

Image

Helmim i mundshëm, kërcënim i mundshëm me vrasje

Të enjten e kaluar, tre ditë para zgjedhjeve, dy udhëheqësit e opozitës proeuropiane Maia Sandu dhe Andrei Nastase, deklaruan se janë vikzima të një helmimi me zhivë. Për këtë ka tregues të qartë. Një ditë më vonë ata ia hodhën fajin qeverisë së kontrolluar nga Plahotniuc-i dhe prezantuan para shtypit në Kishinau rezultatet e laboratorit. Mjekët patën konfirmuar vlera të larta zhive, si shenja të qarta për ndikimin nga jashtë.

Në një hetim të parë, të cilën Nastase dërgoi ta bënte më 2017 në Gjermani, janë parë përqindje të larta zhive në gjakun e tij, tha politikani. Megjithë trajtimin vlerat e zhivës kanë mbetur të larta. Tek Maia Sandu janë zbuluar vitin e kaluar sasi zhive katër herë më të larta nga vlera e lejuar.

Një zëdhënës i qeverisë i hodhi poashtu akuzat e politikanëve të opozitës duke i quajtur ato manovra të fushatës elektorale. Shtypi i kontrolluar nga Plahotniuc përhapi hipotezat, sipas të cilave një mjek paska thënë që helmimi ka ardhur nga përdorimi i madh i peshkut.

Shtypi i kontrolluar nga socialistët bëri të ditur të premten se kundër kryetarit të shtetit është duke u përgatitur një komplot për vrasje. Nga burime "të sigurta" është marrë një dëshmi me shkrim, sipas të cilës pas zgjedhjeve Dodon duhet të zhvendoset me urdhër të Plahotniucs. Letra ndërkohë nuk është më faqen e internetit ku u publikua.

Image
Igor Dodon tek Vladimir Putini

Perëndimi kundër lindjes

Shoqëria e Moldavisë është në mëdyshje. Ekuilibrin e mbajnë forcat proeuropiane dhe proruse. Partia PDM e Plahotniucs thotë se është properëndimore, por mbas saj fshihen interesat politike dhe ekonomike të oligarkëve dhe njerëzve të tyre. Socialistët e Dodonit janë të drejtuar qartë drejt Moskës. Ndikimi i Rusisë në ish-republikën sovjetike është ende i ndjeshëm, sidomos në qytetet e vogla dhe rajonet rurale. Nëse zgjedhjet i fiton kampi prorus, presidenti i ka thënë se do të ketë bisedime të reja për marrëveshjen e asocijimit me BE, të mbyllur më 2014.

Image
Do të zgjedhë Moldavia drejt lindjes apo drejt perëndimit?

Vendi është i mbuluar nga korrupsioni dhe politika, ekonomia dhe financat janë në duart e oligarkëve. Sipas Bankës Botërore rreth 20 përqind e 3,5 milionë moldavëve jetojnë nën nivelin e varfërisë. Rroga mesatare është poshtë 300 eurove. Sipas vlerësimeve të fundit, një e treta e popullsisë punojnë jashtë vendit, në Rusi dhe në Bashkimin Europian. Në periferinë lindore të vendit ekziston që prej viteve nëntëdhjetë një konflikt i ngrirë dhe në rajonin prorus të Transilvanisë janë stacionuar trupat ushtarake ruse.

Një ligj zgjedhor i ndryshuar dhe represionet e përsëritura kundër shoqërisë civile dhe opozitës janë shenja të këqija për zgjedhjet e së dielës. Në fund të fundit nuk do të merret vendim vetëm për qeverinë në Kishinau, por edhe për kursin e ardhshëm që do të ndjekë vendi. Pro BE apo pro Rusisë, është faktikisht pyetja që shtrohet këtë të dielë./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat