Deri në 15 ditë burgim nëse nuk e respekton Qeverinë ruse!

Evropë

Deri në 15 ditë burgim nëse nuk e respekton Qeverinë ruse!

Më: 7 mars 2019 Në ora: 16:13
Duma ruse, fotografi nga arkivi.

Parlamenti i Rusisë miratoi një ligj kundërthënës, i cili u lejon gjykatave t’i burgosin njerëzit për “mosrespektimin” e zyrtarëve qeveritarë ose shtetërorë, përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin.

Ligji, i cili, sipas kritikëve, kujton legjislacionet e kohës sovjetike kundër disidentëve politikë, parasheh gjoba deri në 100,000 rubla, apo 1,300 euro, për, siç thuhet, “postimet e pahijshme online”, të cilat tregojnë "mungesë respekti për shoqërinë, vendin, simbolet shtetërore të Rusisë, Kushtetutën ose autoritetet".

Shkelësit e përsëritur mund të goditen me gjoba dyfish ose me 15 ditë burgim.

Alexander Verkhovsky, udhëheqës i Qendrës Sova në Moskë, e cila monitoron abuzimet me legjislacionin kundër ekstremizmit, tha se njerëzit mund të përballen me persekutim për komentet online, të tilla si “Putini është bastard”, ose për shaka për Parlamentin.

Të tjerë thanë se ligji u formulua në mënyrë të paqartë dhe se gati çdo kritikë online për autoritetet, përfshirë satirat, mund të interpretohet si “mosrespektim”.

“Së shpejti, do të tregojmë shaka për autoritetet duke pëshpëritur në kuzhinë”, tha Sergey Shvakin, avokat me seli në Moskë, në një postim në Facebook.

Ligji, i cili është shkruar nga Andrei Klishas, senator nga partia e Putinit – Rusia e Bashkuar – u kritikua edhe nga disa ligjvënës dhe zyrtarë qeveritarë.

"Një nga detyrat e organeve qeveritare është të dëgjojnë me qetësi kritikat për punën e tyre”, tha për gazetën Vedomosti Aleksei Volin, zëvendësministër i Komunikacionit.

"Nëse ne nuk e quajmë budallanë budalla, ai nuk do të ndalojë të jetë budalla", tha Sergei Ivanov, një deputet i partisë nacionaliste LDPR, e cila zakonisht e mbështet Kremlinin mbi çështjet e mëdha.

Klishas mohoi se ligji është formë e censurës dhe tha se autoritetet “janë të denja për respekt”. Putin pritet ta nënshkruajë ligjin në ditët e ardhshme.

Parlamenti rus gjithashtu miratoi një legjislacion të veçantë, të autorizuar po nga Klishas, që do t'iu japë autoriteteve kompetenca për të bllokuar faqet në internet që publikojnë materiale "mosrespektuese" ose "lajme të rreme".Ligjet vijnë pasi vlerësimi publik për  Putinin ka rënë në 33%, që është niveli më i ulët në 13 vjet./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat