Britania dënon me 13 vjet burgim gruan që bëri prerje në organin gjenital të vajzës 3-vjeçare

Evropë

Britania dënon me 13 vjet burgim gruan që bëri prerje në organin gjenital të vajzës 3-vjeçare

Më: 9 mars 2019 Në ora: 11:34
Foto ilustrim

Një gjykatë britanike e ka dënuar një grua 37-vjeçare nga Uganda me 13 vjet burgim për shkak se ka bërë prerje në organin gjenital të vajzës së saj 3-vjeçare.

Vendimi për dënimin e kësaj gruaje u mor të premten, ndërsa ky është rasti i parë që një gjykatë britanike dënon një person për këtë lloj të krimit. Ajo u dënua me 11 vjet burgim për shkak të prerjes me mjete të mprehta dhe me dy vjet burgim për posedim të materialeve të pornografisë ekstreme. Emri i saj nuk është publikuar me qëllim të mbrojtjes së identitetit të fëmijës.

Gruaja e dënuar ka thënë se ndihet e pafajshme dhe se vajza e saj është lënduar aksidentalisht në gusht të vitit 2017. Sidoqoftë, ekspertët ligjorë kanë zbuluar se trupi i vajzës është prerë qëllimisht. Vajza e vogël është dërguar në spital dhe ka humbur shumë gjak.

Gjykatësja Philippa Whipple deklaroi se gruaja e dënuar është fajtore për abuzim të fëmijës. “Kjo është një vepër barbare dhe krim serioz. Është një fyerje që godet femrat, sidomos kur janë të reja dhe të pambrojtura”, tha ajo.

Prerja e organit gjenital të grave është e ndaluar me ligj në Britani të Madhe që nga viti 1985, por raste të këtilla janë shënuar edhe në të kaluarën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, reth 200 milionë gra e kanë përjetuar këtë formë të dhunës, shkruan “The New York Times”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat