Zuzana Caputova e fitoi rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale - Bota Sot
Zuzana Caputova e fitoi rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale

Evropë

Zuzana Caputova e fitoi rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale

Më: 17 mars 2019 Në ora: 13:59
Zuzana Caputova

Kandidatja pa përvojë në pozita zyrtare dhe me luftën kundër korrupsionit si premtim kryesor, Zuzana Caputova, është shpallur fituese e rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Sllovaki. Në balotazh ajo do të përballet me kandidatin e partisë në pushtet, Maros Sefcovic.

Pas numërimit të 99.4 për qind të votave, aktivistja e njohur për mbrojtje të mjedisit, Zuzana Caputova, i ka fituar 40.5 për qind të votave dhe ka epërsi të lartë ndaj kandidatit të dytë, Maros Sefcovic, i cili mori vetëm 18.7 për qind të votave. Këta dy kandidatë do të garojnë në rundin e dytë, i cili mbahet më 30 mars.

Kandidatja 45-vjeçare, e cila është përkrahëse e Bashkimit Evropian dhe bën pjesë në partinë joparlamentare “Sllovakia Progresiste”, do të dallohej shumë në skenën e liderëve evropianë, ku po rritet përkrahja për nacionalistët dhe populistët.

Pozita e presidentit në Sllovaki nuk përfshin kompetenca që lidhen me aktivitetin e përditshëm qeverisës, por presidenti/ja e ka të drejtën e vetos për përzgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve të lartë, të cilët kanë ndikim të drejtpërdrejtë në luftimin e korrupsionit.

“E kam parë dëshirën e madhe për ndryshim dhe reagimin e fuqishëm të publikut. Ne jemi në udhëkryqin mes humbjes dhe rikthimit të besimit të popullit, përfshirë çështjen e orientimit të politikës së jashtme të Sllovakisë”, ka thënë ajo, shkruan “The Guardian”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...