Paris, “jelekverdhët” vodhën e dogjën. Rritet presioni ndaj qeverisë franceze - Bota Sot
Paris, “jelekverdhët” vodhën e dogjën. Rritet presioni ndaj qeverisë franceze

Evropë

Paris, “jelekverdhët” vodhën e dogjën. Rritet presioni ndaj qeverisë franceze

Më: 18 mars 2019 Në ora: 07:18
Qeveria franceze

Qeveria franceze është përballur me kritika të ashpra këtë të dielë, për dështimin në zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit gjatë një fushate zjarrvënieje dhe plaçkitjeje nga “jelekverdhët” përgjatë bulevardit të famshëm “Champs Elysee” në Paris.

Rreth 80 dyqane e biznese përreth sheshit në fjalë u vandalizuan të shtunën, kur protestuesit u sollën në mënyrë të pakontrollueshme, me rreth 20 prej tyre që u dogjën e u plaçkitën sipas deklaratave të tregtarëve. Demonstratat e së shtunës u karakterizuan nga një rritje e mprehtë e dhunës, pas javëve të tëra pjesëmarrjeje në rënie.

Kjo ishte fundjava e 18 radhazi e demonstratave që nisën nga mesi i nëntorit të vitit të kaluar, fillimisht si protestë kundër rritjes së parashikuar të çmimit të karburanteve, por që më pas u përshkallëzuan në një lëvizje të fuqishme antiqeveritare.

“Pati një valë të jashtëzakonshme dhune, ndërsa ne po përballemi me atë çfarë ka mbetur pas kaosit. Po përpiqemi të sigurojmë të gjithë punonjësit, pasi ka edhe nga ata që jetojnë këtu, jo vetëm punojnë”, tha Jean-Noel Reinhardt, kreu i “Comitte Champs-Elysees”, një shoqatë lokale me 180 anëtarë, shumica e të cilëve biznesmenë.

Ai tha se banorët dhe pronarëte bizneseve bëjnë thirrje për bisedime me kryeministrin Edouard Philippe, “për të ndarë zemërimin tonë dhe për të shprehur ankesat tona”. “Autoritetet duhet t’i japin fund njëherë e përgjithmonë kësaj situate”, këmbëngul ai.

Kryebashkiakja socialiste e Parisit, Anne Hidalgo tha se pret “shpjegime” nga qeveria, teksa është shprehur tejet e irrituar me dhunën e paprecedentë që ka përjetuar kryeqyteti francez. Në një intervistë me gazetën “Le Parisien”, Hidalgo shtonte se “ne duhet të jemi në gjendje t’i dalim zot një situate të tillë, siç e kemi dëshmuar të gjithë”.

“Jemi në mesin e një krize të rëndësishme sociale dhe politike. Nuk mund të vazhdojmë më kështu”, është shprehur Hidalgo.

Një burim nga drejtësia franceze tha për “AFP”-në se 200 persona, përfshi 15 minorenë, janë ndaluar nga policia për ngjarjet e së shtunës. Më herët, autoritetet kishin njoftuar për 237 të arrestuar. Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, pjesëmarrja gjatë së shtunës në Paris ishte 10 mijë vetë, ndërsa në mbarë vendin protestuan 32.300 persona.

Edhe pse janë shumë pak krahasuar me 282 mijë njerëzit që dolën në protestën e parë të 17 nëntorit, kaq mjaftuan që presidenti Emmanuel Macron të ndërpriste vizitën e tij në Pirenej për t’u rikthyer në Paris për një takim mbi krizën gjatë së shtunës mbrëma. Pas bisedimeve, ai u zotua të marrë “vendime të forta” për të parandaluar dhunën në të ardhmen.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...