Qeveria e Francës pranon “difekte” në siguri në protestat e Parisit - Bota Sot
Qeveria e Francës pranon “difekte” në siguri në protestat e Parisit

Evropë

Qeveria e Francës pranon “difekte” në siguri në protestat e Parisit

Më: 18 mars 2019 Në ora: 11:31
Paris

Ministri i Financave dhe ministri i Brendshëm i Francës do t'u përgjigjen këtë javë senatorëve, kur qeveria franceze përballet me kaosin dhe prishjen e rendit të protestave të "jelekverdhëve". Kërkohet përgjigje e fortë.

Qeveria e Francës po përballet me kritika të forta, pas zjarrvënieve dhe plaçkitjeve të demonstruesve në një protestë të "jelekverdhëve"në Paris të shtunën.

Kryeministri Edouard Philippe pranoi se kishte pasur "mosfunksionim" dhe "difekte" në aspektin e sigurisë, të cilat qeveria do të punojë që t'i korrigjojë, tha ai.

Policia franceze u shfaq e pafuqishme në protestat e së shtunës, kur demonstruesit bënë shkatërrime pa dallim në Bulevardin e famshëm Champs Elysee. Të ashtuquajturit demonstrues "të bllokut të zi" shkatërruan një restorant të njohur, Fouquet, dyqane luksoze, një bankë, një dyqan çokollatash dhe disa kioske gazetash.

Përfaqësues të shitjes me pakicë thanë se u prekën rreth 80 dyqane dhe biznese. Autoritet u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe me pompa uji, në një përpjekje për t'i mbrapsur protestuesit.

"Analizat e momenteve kulmore të ngjarjeve të djeshme tregojnë se masat e marra qenë të pamjaftueshme për të përmbajtur dhunën dhe për të parandaluar shkeljet", tha Philippe.

Zemërim në Paris

Presidenti francez Emmanuel Macron ndërpreu një udhëtim skijimi për t'u kthyer në Paris, ku foli se do të ndërmarrë veprime "të forta" në përgjigje të shqetësimeve në kryeqytet.

Image

Figura politike të spektrit politik francez e akuzuan Macronin se nuk kishte qenë në gjendje që ta kontrollonte situatën. Kryetarja socialiste e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo tha se po pret "një shpjegim" nga qeveria. Ajo shtoi se është vërtet "e zemëruar" për "dhunën e pa precedentë".

"Ne duhet të jemi në gjendje që ta vëmë në kontroll një situatë si kjo që sapo përjetuam", i tha ajo gazetës pariziane "Le Parisien".

Image

Lëvizja e "jelekverdhëve" nisi si një protestë kundër taksës së benzinës të vendosur nga Presidenti Macron.

Por tani ajo ka kaluar në një valë pakënaqësie më të gjerë kundër qeverisë së tij. Megjithëse numrat e protestuesve kanë rënë, të shtunën ato qenë më të larta se në javët e shkuara.
Kërkim i rrugëdaljes

Ministri i Financave Bruno Le Maire tha se do të mbajë sot (18.03.) një mbledhje me grupet e biznesit, të tregtisë dhe shoqatat e sigurimeve për të diskutuar ndikimin ekonomik të protestave. Këtë e bëri të ditur zyra e tij.

Image

 

Muajin e kaluar, Le Maire vlerësoi se si pasojë e protestave, rritja ekonomike e Francës do të bjerë me 0.2 përqind.

Të martën, ministri i Financave do t'u përgjigjet pyetjeve të dy komiteteve të senatit francez, lidhur me ngjarjet e së shtunës. Ministri i Brendshëm Christophe Kastanier do të jetë gjithashtu i pranishëm në seancat në senat lidhur me protestat.

Në seanca do të diskutohet për "mjetet e përdorura për të trajtuar çrregullime të tilla". Ligjvënësit vunë re rënie në situatën tregtare të Francës dhe në "atraktivitetin ekonomik" të Francës si rezultat i protestave, tha Senati në një deklaratë të dielën./DW

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...