Analistët: Rusia përpiqet të ndikojë në zgjedhjet e Ukrainës

Evropë

Analistët: Rusia përpiqet të ndikojë në zgjedhjet e Ukrainës

Më: 29 mars 2019 Në ora: 23:01
Ukrainë

Rusia po përpiqet të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Ukrainë, duke nxitur ndarjet dhe amplifikuar ngjarjet negative, sipas disa analistëve që monitorojnë propagandën e Kremlinit rreth votimeve të 31 marsit.

Raundi i parë i votimit mbahet të dielën, me 39 kandidatë në fletëvotim. Raundi i dytë do të mbahet tre javë më vonë.

Duke mos patur asnjë kandidat pro-rus pjesmarrës në zgjedhje, analistët paralajmërojnë se Kremlini ka përdorur mjetet sociale dhe ndikimin e fshehtë në mediat ukrainase për të penguar zgjedhjet.

Që nga revolucioni i vitit 2014, Ukraina është kthyer me vendosmëri në drejtim të Perëndimit, ndërkohë që Kievi kërkon anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Megjithatë, Moska nuk po heq dorë dhe i sheh zgjedhjet e ardhshme si vetëm njërën prej hallkave në një seri betejash strategjike, thotë analisti Vladislav Inozemtsev, drejtor i Qendrës së Moskës për Studimet Post-Industriale dhe autor i një raporti të kohëve të fundit me titull "Forcat e lidhura me Kremlinin në zgjedhjet e vitit 2019 të Ukrainës.”

"Në vitin 2004 dhe 2005, ishte humbja e parë," tha Inozemtsev në një intervistë për Zërin e Amerikës. "Ata morën hak në një farë mënyre në vitin 2010 kur u zgjodh Viktor Janukoviç. Pastaj sigurisht nuk kishin ç’bënin në vitin 2014, sepse ishte absolutisht e sigurt që forcat pro-evropiane do të fitonin. Dhe tani kemi një lloj hakmarrjeje të dytë që mund të arrihet nëse Kremlini ndjek një politikë të mençur dhe gjithëpërfshirëse".

Ukraina ka hequr shumë kanale televizive ruse dhe figura politike të lidhura me Kremlinin si dhe ka bllokuar faqe propagande pro-Moskës në internet apo në mediat sociale. Yevgen Fedchenko, bashkë-themelues i organizatës 'Stopfake.org', e krijuar për të nxjerrë në pah dezinformimin që vjen nga Rusia, thotë se Kremlini ka kërkuar kanale të reja ndikimi.

"Ata po kërkojnë gjithnjë e më shumë për të gjetur mediume të reja që mund të përdoren, duke përfshirë Facebook-un si një nga platformat, por gjithashtu duke u përpjekur të ndikojnë në mediat ukrainase, thjesht duke i blerë ato ose duke ndikuar politikat editoriale të tyre apo gazetarët.”

Kreu i Sigurisë së Informacionit në Shërbimin e Sigurisë të Ukrainës, Oleksandr Klymchuk, thotë se qeveria ka qenë aktive në kundërshtimin e këtij ndikimi.

"Ne i dhamë Facebook-ut informacione rreth 2,000 llogarive të rreme. Ato tashmë janë bllokuar. Brenda dy javëve të fundit kemi dhënë informacion rreth 40,000 llogarive robot," tha Klymchuk.

Fedchenko i Stopfake.org thotë se strategjia e Moskës nuk është më mbështetja e një kandidati të vetëm, por mbjellja e përçarjes. Kremlini mohon përpjekjen për të ndërhyrë në zgjedhjet dhe thotë se akuzat janë pjesë e një fushate politike për të fituar vota./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat