Ukrainë: Kërkohet dëshpërimisht një president si shpëtimtar

Evropë

Ukrainë: Kërkohet dëshpërimisht një president si shpëtimtar

Më: 31 mars 2019 Në ora: 12:02
Ukrainë

Zgjedhjet presidenciale në Ukrainë këtë të dielë (31.03) janë një pikë kthese. Tek ukrainasit e lodhur duket se ka më shumë shanse një aktor komedish. Por as kjo nuk është e sigurtë.

Asnjëherë nuk ka qenë kaq i pasigurtë rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë si këtë të dielë. Këto janë zgjedhjet e para të rregullta për kreun e shtetit, që nga votimi i parakohshëm në maj 2014, pas largimit në arrati të presidentit, Viktor Janukoviç. Atëherë fitoi që në raundin e parë biznesmeni i shfaqur papritur si politikan, Petro Poroshenko. Kësaj here ai nuk e ka të sigurtë fitoren, një rival tjetër, që nuk kishte të bënte me politikën është ngjitur papritur shumë lart.

Tre kandidatë me shanse reale

36 milionë ukrainas me të drejtë vote duhet të zgjedhin mes 38 kandidatëve, shumica të cilave nuk kanë asnjë shans. Sipas sondazheve janë vetëm tre kandidatë që mund të presin për balotazhin më 21 prill. Në krye qëndron aktori i komedisë, Volodymyr Selenski. Aprovimi për të qëndron varion nga 20-30%. Me këtë ai ka një distancë të ndjeshme me presindentin aktual Petro Poroshenko, dhe ish-kryeministren Julia Timoshenko, që kanë afërsisht të njëjtën vlerë në sondazhe 17%.

Selenski është i njohur përmes disa programeve satirike dhe serisë së komedisë „Shërbëtor i popullit", ku ai luan një mësues që bëhet papritur president. Seriali i tretë ka filluar pak ditë para zgjedhjeve. Ai përfiton nga imazhi i të pakonsumuarit. Poroshenko dhe Timoshenko nga ana tjetër shihen si kandidatë të një sistemi të vjetër joefektiv. Selenski i përgjigjet nevojës për fytyra të reja në politikë e dëshirës për një shpëtimtar.

Image
Volodymyr Selenski

Poroshenko ndërkohë është mes shumë zgjedhësve një figurë e padashur deri e urryer. 53 vjeçari Poroshenko është goditur edhe nga investigimet e fundit mbi korrupsionin në industrinë e armëve. Suksesi i tij në politikën e jashtme, si liberalizimi i vizave me BE, nuk e kanë kompensuar dot zhgënjimin për çmimet në rritje dhe nepotizmin.

Ndërsa 58 vjeçarja Timoshenko ka shanset më të mira të karrierës së saj për t'u bërë presidente e vendit. Por Timoshenko polarizon shumë, konsiderohet si e paskrupullt dhe maniake e pushtetit. Disavantazhi isaj: Ajo është që prej 20 vitesh në politikën ukrainase dhe aspak figurë e re.

Image
Petro Poroshenko, presidenti aktual ukrainas

Fitorja e Selenskit nuk është e sigurtë. Potenciali i votuesve të tij duket se është i shtrirë në pjesën jugore e lindore të Ukrainës rusishtfolëse. Kritikët e akuzojnë atë, se është marioneta e oligarkut Ihor Kolomojskyj. Të dy e mohojnë këtë, por realisht janë të lidhur me njëri-tjetrin përmes punës. Vetë Kolomojskyj zhvillon një betejë personale kundër Poroshenkos, për shkak të konflikteve të mëparshme në sektorin bankar. Edhe Selenski polarizon dhe shihet si prorus i kamufluar, që gjë mund t'i trembë votuesit në Ukrainën Perëndimore.

Temat e fushatës zgjedhore

Poroshenko i drejtohet ukrainasve me qëndrim patriotik. Presidenti prezantohet si komandanti suprem në luftën kundër separatistëve prorusë në Ukrainën Lindore dhe akuzon rivalët e tij, se janë kolona e pestë e Moskës. Ai i referohet sukseseve në politikën e jashtme dhe kërkon shkëputjen e Ukrainës nga Rusia dhe orientim perëndimor.

Timoshenko përqëndrohet tek problemet e brendshme. Ajo premton një fillim të ri dhe dëshiron të ndryshojë kushtetutën në favor të një demokracie parlamentare. Me premtimin për çmime të lira të gazit, ajo kërkon të fitojë pikë tek shtresat e varfra të popullsisë. Edhe Timoshenko kërkon të anëtarësojë Ukrainën në NATO dhe BE.

Kurse Selenski në programin e tij zgjedhor ka më shumë premtime që tingëllojnë më shumë populiste se programe të qarta. Ai kërkon më shumë demokraci direkte përmes referendumeve, dhe e vë gishtin në plagë, kur akuzon për korrupsionin e lartë, rrogat e pensionet e ulta apo rritjen e emigracionit.

Sa i madh është rreziku i manipulimit?

Akuzat për manipulim kanë hedhur hije në zgjedhjet e mëparshme në Ukrainë, e ishin ato që çuan në „revolucionin e portokalltë" në vitin 2004. Në zgjedhjet e fundit vëzhguesit e OSBE kanë raportuar për zgjedhje parimisht të lira, por kësaj here ka sërish paralajmërime për manipulim zgjedhor. Në raportin e ndërmjetëm të OSBE, thuhet se kanë dëgjuar „shumë akuza për blerje votash në të gjithë vendin".

Image
Julia Timoshenko

Por sfidat për kreun e ri të shtetit ukrainas do të mbeten krahas luftës në rajonin e qymyrit Donbas e nevojës për modernizimin e ushtrisë edhe lufta e bërë deri më tani me gjymë zemre kundër korrupsionit. Gati në të gjitha fushat e jetës duhen kryer reforma të rëndësishme si në drejtësi, polici, shëndetësi. Presidentja apo presidenti i ri ndoshta do të përballet me sfidën e një ndalimi të mundshëm të tranzitit të gazit rus nga viti 2020. Kjo do ta dobësonte Ukrainën financiarisht e do ta bënte më të pambrojtur nga përpjekjet ruse për destabilizim. Por në muajt e ardhshëm fituesi i zgjedhjeve fillimisht nuk ka për të bërë reforma të mëdha, nga frika e zgjedhjeve parlamentare në vjeshtë. Vetëm pas krijimit të parlamentit e qeverisë së re, do të dihet se kush e ka fjalën në Ukrainë./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat