Vuçiq nuk humb asnjë sekondë, uron menjëherë presidenten e bukur të Sllovakisë

Evropë

Vuçiq nuk humb asnjë sekondë, uron menjëherë presidenten e bukur të Sllovakisë

Më: 1 prill 2019 Në ora: 12:12
Zuzana Caputova, Aleksandër Vuçiq

Zuzana Caputova është bërë gruaja e parë presidente në Sllovaki. Atë menjëherë e ka uruar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Vuçiq në një mesazh të shkurtër ka përgëzuar Caputovën për fitimin e zgjedhjeve presidenciale në Sllovaki.

“Me rastin e zgjedhjes tuaj si presidente e Republikës Sllovake ju përgëzoj përzemërisht dhe ju dëshiroj shumë suksese në punë. Jam i nderuar që besimi që iu është dhënë nga qytetarët e vendit tuaj do t’ju shtyjë fuqishëm që të punoni dhe të arrini progres në të ardhmën”, thuhej në mesazhin e urimit të Vuçiqit.

Zuzana Caputova u bë gruaja e parë në histori të Sllovakisë që po zgjidhet presidente, me premtimin kryesor për luftën kundër korrupsionit gjatë fushatës.

Zonja Caputova, e cila nuk ka pothuajse aspak përvojë politike, e mposhti diplomatin e profilit të lartë, Maros Sefcovic, i cili ishte kandidat i partisë që është aktualisht në pushtet në Sllovaki.

Këto zgjedhje u mbajtën një vit pas vrasjes së një gazetari hulumtues vitin e kaluar. Jan Kuciak ishte duke i hetuar lidhjet e politikanëve me krimin e organizuar kur ishte qëlluar me armë zjarri në shkurt të vitit 2018.

Caputova kishte thënë se vrasja e këtij gazetari është një nga arsyet që e ka shtyrë të kandidojë për presidente të vendit, ndonëse ky post është më tepër i natyrës ceremoniale.

Kur pothuajse të gjitha votat janë numëruar, ajo i ka vituar 58 për qind të votave, ndërsa kundërkandidati i saj i fitoi 42 për qind të tyre.

Ajo u bë e njohur duke e ushtruar profesionin e avokates, sidomos kur e udhëhoqi një rast kundër një procesi të groposjes ilegale të mbeturinave, i cili zgjati 14 vjet.

Presidentja e re e Sllovakisë është 45-vjeçare, nënë e dy fëmijëve dhe e divorcuar. Ajo është anëtare e partisë “Sllovakia Progresiste”, e cila nuk ka asnjë ulëse në kuvend.

Në rundin e parë të zgjedhjeve, ajo i kishte fituar 40 për qind të votave, ndërsa kandidati tjetër, i cili është zëvendëspresident i Komisionit Evropian, vetëm 19 për qind, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat