Romë, rihapet pas 300 vitesh për pelegrinët “Shkalla e shenjtë”

Evropë

Romë, rihapet pas 300 vitesh për pelegrinët “Shkalla e shenjtë”

Më: 15 prill 2019 Në ora: 07:52

Pas 300 vitesh, “Shkalla e shenjtë”, një nga vendet e famshme të Romës, më i adhuruari i të krishterëve të devotshëm, kthehet e prekshme në bukurinë e saj të plotë, e çliruar nga mbulimi me dru që u urdhërua nga Papa Inocenco i XIII në vitin 1723.

28 shkallët e mermerit, që sipas traditës Jezu Krishti ngjiti për të arritur në sallën e pallatit të Jeruzalemit, ku Ponc Pilati e dënoi me vdekje, mund të admirohen për 60 ditë deri më 9 qershor, kur edhe do të mbulohen sërish. Pas bekimit iu është hapur rruga pelegrinëve, që i kanë ngjitur të 28 shkallët në gjunjë.

Falë një restaurimi minimal të nisur verën e shkuar, nën kujdesin e muzeve të Vatikanit, druri është hequr, shkallët janë çliruar nga dheu dhe mbetjet, duke rezervuar shumë surpriza, ndërkohë që kanë rifituar shkëlqim edhe afresket 500-vjeçare, që për 2.500 metra dekorojnë këtë vend të shenjtë kaq të veçantë.

“Pyesim veten, sa miliona njerëz kanë kaluar këtu? E prej sa kohësh këto shkallë janë ngjitur nga njerëzit, në gjunjë?”, tha Ati Françesk Guerra.

Sipas rrëfimeve, Jezu Krishti u rrëzua në shkallën e fundit, duke thyer mermerin delikat me gju dhe duke lënë një gjurmë gjaku mbi të. Besimtarët besojnë se, duke prekur tokën ku ka shkelur Jezu Krishti mund të prekin vet Zotin. E duke ngjitur në gjunjë 28 shkallë hyn në kontakt me dhimbjen fizike, por mbi të gjitha me moralin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat