Sindikatat kroate duan referendum për uljen e moshës së pensionimit

Evropë

Sindikatat kroate duan referendum për uljen e moshës së pensionimit

Më: 12 maj 2019 Në ora: 13:00
Kroaci

Sindikatat kryesore të punëtorëve në Kroaci kanë thënë të dielën se kanë mbledhur nënshkrime të mjaftueshme për mbajtje të referendumit lidhur me zvogëlimin e moshës së pensionimit nga 67 në 65 vjeç.

Tri nga sindikatat kryesore tregtare në Kroaci njoftuan se kanë arritur t’i mbledhin më shumë se 600 mijë nënshkrime brenda dy javësh gjatë fushatës së tyre që përfundoi të shtunën në mesnatë.

“Dëshirojmë që ky të jetë shembull për atë se si qytetarët mund ta ngrisin zërin dhe të bëjnë ndryshime”, tha Mirela Bojiq, një nga organizatoret e fushatës së sindikatave, e cila u quajt “67 është tepër”.

Numri i nënshkrimeve të nevojshme ishte 10 për qind e të gjithë votuesve ose rreth 373 mijë nënshkrime. Ministria e Administratës Publike do t’i vërtetojë nënshkrimet e dorëzuara dhe nëse ky numër konfirmohet, kuvendi duhet ta shpallë referendumin.

Kuvendi i Kroacisë e miratoi në dhjetorin e kaluar propozimin e qeverisë për ta rritur moshën e pensionimit dhe zvogëlimin e pensioneve për personat që dalin në pension para kohës së paraparë.

Kroacia, njësoj si shumë shtete evropiane, po përballet me plakjen e popullsisë dhe koalicioni qeveritar thotë se këto ndryshime janë të nevojshme për ta ruajtur qëndrueshmërinë e sistemit pensional, shkruan “Euronews”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat