Franca e Zelanda bashkojnë forcat kundër ekstremizmit në internet

Evropë

Franca e Zelanda bashkojnë forcat kundër ekstremizmit në internet

Më: 13 maj 2019 Në ora: 10:51
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern

Raportohet se kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e kanë hartuar një plan për t’i eliminuar përmbajtjet terroriste dhe të dhunshme nga interneti.

Ardern dhe Macron do të takohen gjatë kësaj jave në Paris në kuadër të samitit të ministrave për teknologji të grupit G7 për të diskutuar lidhur me këtë plan dhe për të bërë thirrje që ai të nënshkruhet edhe nga liderët tjerë. Plani titullohet “Thirrja e Christchurch-it”.

Kryeministrja e Zelandës së Re e paraqiti këtë projekt pas sulmeve në dy xhami të qytetit Christchurch, të cilat ndodhën më 15 mars. Vrasja më e madhe masive në histori të këtij vendi u transmetua drejtpërdrejt në internet. Në këto sulme u vranë 51 njerëz.

Gazeta “New York Times” raportoi të hënën se autorët e kësaj nisme do të bëjnë thirrje që nënshkruesit e saj të miratojnë ligje që ndalojnë materialet e dëmshme dhe të caktojnë udhëzime për mënyrën se si mediet tradicionale mund t’i raportojnë aktet e terrorizmit dhe si të mos i zmadhojnë ato.

Megjithatë, në këtë thirrje nuk përfshihet ndonjë masë rregulluese ose obliguese dhe do të mbetet në dorën e shteteve veç e veç se cilat zotime do t’i japin në mënyrë vullnetare.

Në samitin e Parisit, i cili mbahet të mërkurën, kryeministrja Ardern do të takohet me liderët e gjigantëve të teknologjisë, përfshirë udhëheqësit e kompanive Google, Facebook, Microsoft dhe Twitter. Sidoqoftë, shefi i Facebookut, Mark Zuckerberg, nuk do të jetë pjesë e këtij samiti, shkruan “The Guardian”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat